12:04 / E Premte, 18 Tetor 2019 / indeksADMonline

Haradinaj dhe drejtoresha e MCC-së nënshkruajnë amendamentimin e marrëveshjes CDF

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në një takim një delegacion të nivelit të lartë nga MCC-ja, kryesuar nga Caroline T. Nguyen, drejtoreshë menaxhuese e MCC-së për Evropë, Azi, Pacifik dhe Amerikën Latine.


Me këtë rast, Haradinaj, bashkë më delegacionin e MCC-së, kanë nënshkruar amendamentimin e marrëveshjes CDF (Compact Development Found), që do të mbështesë aktivitetet e profizibilitetit të projekteve të dorëzuara nga Qeveria e Kosovës në MCC në korrik të këtij viti.


Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj e ka njoftuar drejtoreshën Nguyen për zhvillimet e fundit në vend, duke thënë se Kosova ka arritur të ndërtojë demokraci të qëndrueshme, duke forcuar institucionet e vendit dhe në këtë rrugëtim do të vazhdojë angazhimin që të avancojë edhe në partneritete të kësaj natyre, që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve tanë dhe në fuqizimin ekonomik të vendit.


“Kontributi i SHBA-së është i pazëvendësueshëm dhe programi Millenium Challange Corporation (MCC) është dëshmi e vazhdimësisë së këtij partneriteti afatgjatë midis të dyja vendeve”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për ndihmën që SHBA-ja kanë dhënë për Kosovën, veçmas tani me programet e MCC-së që mbështet përpjekjet e qeverisë për reforma në fusha të ndryshme”, ka thënë ai.


Më tej, kryeministri në detyrë Haradinaj, vlerësoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një tjetër hap i madh, që çon në zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të shumë projekteve të rëndësishme në vend dhe Kosova është e vendosur që të zbatojë obligimet e saj karshi këtij bashkëpunimi.

Ndërkaq, Caroline T. Nguyen, Drejtoreshë Menaxhuese e MCC për Evropë, Azi, Pacifik dhe Amerikë Latine falënderoi kryeministrin në detyrë, Haradinaj, për pritjen e sotme dhe vlerësoi se Qeveria e Kosovës ka qenë partner në këtë rrugëtim duke mirëpritur thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.