18:51 / E Premte, 23 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Kryeministri Zaev shqiptar ortodoks? Gazetarët viktima të ‘fake news’

Dëshirës për të qenë të parët dhe etjes për sensacion nuk i shpëtuan as njerëzit  e kësaj fushe, gazetarët e televizionit shqiptar, News24. Të bazuar në shkrimin e portalit Republika.Mk, i cili publikohet në rubrikën “Dylbi” dhe që është shkrim që portali e quan satirik, televizioni Neës24 e publikoi si kronikë e cila më vonë kishte mijëra klikime.

“Duke ju përgjigju pyetjes të një gazetari në lidhje me akuzat që Branko Manojllovski ka bërë në adresë të Radmilla Sheqerinskes se është shqiptare ortodokse.

Është e vërtetë se Radmilla nga gjyshja është shqiptare ortodokse! Por çfarë ka të frikshme këtu? Unë kam prejardhje shqiptare ortodokse si nga gjyshja ashtu edhe nga gjyshi. Që nga Ilirët se Strumicës që kur pranuan besimin ortodoks, me kalimin e kohës sllavët kryesisht  me dhunë i asimiluan dhe imponuan gjuhën maqedonase. Unë ndjehem shqiptar ortodoks”, thuhet në kronikën e televizionit shqiptar.

Vetëm në faqen “Albanin News” dhe “Kumanova Sot” kjo kronikë për më pak se 24 orë u klikua më shumë se 160 mijë herë, e pasi video po shpërndahej me shpejtësi të madhe edhe portale tjera vendosen ta publikojnë.

Shumica e atyre që e kanë parë kronikën, e kanë marrë si lajm të vërtetë.

“Dëgjova lajmin… Nëse nuk gaboj në Tiranë apo diku në Shqipëri. Mendojmë që është mirë, se edhe Sheqerinska paska familjen shqiptare”, thotë një i ri shqiptar nga Shkupi.

Sipas profesorit të komunikimit, Elvin Luku, gazetari ka anashkaluar parimet bazë të gazetarisë sepse nuk ka verifikuar informacionin.

“Është një lajm i prodhuar në mënyrë sensacionale dhe duke pasur parasysh edhe kontekstin se si është situata në Maqedoni,  qasjen që Zaev e ka me shqiptarët që është shumë më e mirë krahasuar me atë që kishte Gruevski, por edhe debatet e fundit sa i takon gjuhës shqipe, kjo ka bërë që gazetari të bie pre e këtij lajmi sensacional dhe të anashkaloj parimet bazë të gazetarisë”, tha Elvin Luku, profesor i komunikimit në UAMD.

Nga përvoja që profesori Luku ka në media, thotë që për lajme rajonale si rasti me kryeministrin Zaev, është praktikë e mirë që të kontaktohet me kolegët gazetarë të shtetit prej ku buron lajmi. Bashkëpunimi më i mirë mes gazetarëve të rajonin do të mund të ndihmonte që të eliminohen lajmet e rrema thotë Luku.  Nga ana tjetër, kjo nuk është hera e parë që shkrimet e Republika po shkaktojnë përhapjen e lajmeve të rrejshme, kurse për këtë ka reaguar edhe Këshilli për Etikë në Media.

Ata kanë reaguar edhe kur u publikua intervista fiktive në po të njëjtin portal me ish kryeministrin, Branko Cërvenkovski. Por portali i lartpërmendur nuk ka ndaluar me publikimin e artikujve të ngjashëm. Drejtoresha e këtij institucioni thotë që në eliminimin e lajmeve të rrejshme mund të ndihmojnë shumë mediat profesionale.

“Është një fenomen i rrezikshëm i cili shkakton dezinformim të opinionit dhe një numër i madh i qytetarëve marrin vendime në bazë të atij kontaminimi nga ana e lajmeve të rrema”, u shpreh Marina Tuneva, drejtoreshë ekzekutive e këshillit për etikë në media.

Pas vendimeve të Këshillit për Etikë, portali “Republika” ka reaguar duke akuzuar këshillin se kupton vetëm satirën e mediave proqeveritare.

Temat: