12:04 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020 / indeksADMonline

Kryeprokuroria dhe Instituti i Bazelit për Qeverisje, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNP) në Kosovë, përmes projektit Mbështetje të Përpjekjeve Antikorrupsion (SAEK III), ka mbështetur dhe organizuar, nënshkrimin e marrëveshjes së bashëpunimit midis Zyrës së kryeprokurorit dhe Institutit të Bazelit për Qeverisje në Zvicër.

Ky partneritet do të ofrojë ekspertizë ligjore ndërkombëtare për prokurorët e Kosovës, për të zbuluar dhe parandaluar rastet e korrupsionit dhe të krimit financiar, duke ndihmuar në gjurmimin e aseteve të vjedhura dhe kthimin e tyre në Kosovë. Kryeprokurori Aleksandër Lumezi dhe Gretta Fenner, drejtoreshë menaxhuese e Institutit të Bazelit për Qeverisje nënshkruan marrëveshjen në një ceremoni virtuale.

Me këtë rast Lumezi theksoi: “Angazhimi me Institutin e Bazelit për Qeverisje në avancimin e sistemit prokurorial u pa si një hap i domosdoshëm, duke marrë parasysh arritjet e Institutit të Bazelit në vendet e tjera, në rritjen e pasurive të rikuperuara, të marra në mënyrë të paligjshme, në vendin e origjinës”.

Në deklaratën e saj, Fenneri, drejtoreshë menaxhuese e Institutit të Bazelit për Qeverisje vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit në të ardhmen: “Rikuperimi i aseteve është një proces kompleks që kërkon kohë, megjithatë efekti është i shkëlqyer dhe i shumëfishtë – jo vetëm që mundëson rimarrjen e aseteve, por gjithashtu pengon korrupsionin, zvogëlon pandëshkueshmërinë dhe rrit besimin e publikut”.

“Në këtë kohë krize globale sa shëndetësore, po aq dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, është më se e domosdoshme që burimet të shpenzohen në të mirë të shoqërisë. Ne jemi të lumtur që patëm mundësi të organizonim këtë marrëveshje shumë të rëndësishme ”, tha Maria Suokko, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së.

Partneri i UNDP-së, Instituti i Bazelit, është lider botëror në mbështetjen e autoriteteve hetimore që gjurmojnë asetet e fshehura brenda dhe jashtë vendit.

UNDP-ja vazhdon të punojë bashkërisht me partnerë në ndërtimin e institucioneve të fuqishme dhe llogaridhënëse, si dhe të sigurojë që fondet e vjedhura përmes aktiviteteve korruptive, t’u kthehen qytetarëve. Kjo marrëveshje është mundësuar falë mbështetjes së Zyrës zvicerane për bashkëpunim në Kosovë dhe SIDA-s.