08:49 / E Mërkurë, 06 Janar 2021 / OSH

Kryetari i Apelit i pakënaqur me ndëshkimet në rastet e korrupsionit: Dënimi me kusht duhet të hiqet

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala shprehet i pakënaqur me vendimet që merren sa u përket rasteve, që kanë të bëjnë me korrupsionin në shkallën e parë, të dytë dhe atë të Gjykatës Supreme.

Ai në një intervistë, thotë se për lëndët e kësaj natyre duhet dhënë dënime meritore. Sipas tij, dënimet me kusht për korrupsionin duhet të hiqen, ndonëse vlerëson se viteve të fundit s’ka pasur dënime të tilla.

“Personalisht s’jam i kënaqur kurrë. Mendoj se duhet dhënë maksimumin si në shkallë të parë, ashtu edhe  në shkallën e dytë, si dhe në Gjykatën Supreme”. 

“Kur kemi të bëjmë me vepra penale të karakterit të korrupsionit unë konsideroj që gjyqtarët nuk duhet të japin dënime me kusht, ngase ajo është sitmulim për me kryer veprën. Por duhet të jetë si preventivë, sepse qëllimi i dënimit është të jetë preventivë, për shkak të mospërsëritjes. E nëse ne japim dënime me kusht, atëherë stimulojmë, që konsideroj se këta vjetët e fundit s’kemi dënime me kusht”, është shprehur ai.

Shala thotë se gjatë vitit 2020 kjo gjykatë ka bërë punë të mirë sa u përket lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin.

Kjo gjykatë sipas tij, në vitin 2020, ka  kryer 62 lëndë për korrupsionin, ku 19 kanë qenë të bartura nga viti 2019, ndërsa në vitin 2020, kanë pranuar edhe 65 lëndë të tjera.

“Kemi pasur 19 lëndë të bartura nga viti 2019, gjatë vitit na kanë ardhur edhe 65 lëndë. Prej tyre i kemi kryer 62 lëndë, që i bie 22 lëndë janë bartur në vitin 2021, të cilat besoj se do të kryhen shumë shpejt”, është shprehur ai.

Ndërsa, vlerëson se problem kanë me shqyrtimin e lëndëve civile, kjo për shkak edhe të numrit të vogël të gjyqtarëve, ani pse thotë se kanë bërë kërkesë në Këshillin Gjyqësor për rritje të numrit të tyre.

“Problemin më të madh e kemi me lëndët e fushës civile. Aty kemi stagnuar pak për shkak të numrit të madh të lëndëve, numri i  gjyqtarëve është i vogël, edhe pse numri i normës së gjyqtarëve është shumë i lartë. Kam kërkuar të caktohet edhe një gjyqtar në fushën administrative dhe një në fushën për çështje ekonomike”, është shprehur Shala.

Ai thotë se gjatë vitit 2020 kanë punuar me 8 gjyqtarë më pak, pasi 6 prej tyre kanë dalë në pension, kurse 2 nga ta janë avancuar për në Gjykatën Supreme.

Pavarësisht numrit jo të duhur të gjyqtarëve dhe sfidës me pandeminë për Gjykatën e Apelit, sipas Shalës, viti 2020 ka qenë i suksesshëm, pasi kanë arritur të përfundonin një numër të madh të lëndëve.

Ai thotë se gjatë vitit të kaluar kanë përfunduar 14 mijë e 800 lëndë, nga 23 mijë sa kanë pasur gjithsej.

“Vitin 2020  e kemi filluar me 11 e 600 lëndë të bartura nga  vitet e mëparshme dhe  gjatë vitin 2020 kanë ardhur edhe po aq lëndë.

Gjatë vitit 2020 në punë i kemi pasur mbi 23 mijë lëndë, fundin e vitit e kemi përfunduar me 14 mijë e 800 lëndë. Kemi arritur që ta zbrisnim numrin e lëndëve nën 10 mijë, që do të thotë është një sukses i madh, sepse që nga viti 2013 s’kemi arritur këtë shifër”, është shprehur Shala.

Pandemia ka prekur edhe këtë institucion, ku 7 gjyqtarë kanë qenë të infektuar me Covid-19 dhe mbi 10 pjesëtarë të stafit civil.