75 Mall Live Search
14:36 / E Enjte, 03 Korrik 2025 / A. M.

Kryetari i Dragashit përplaset me një medium, i ndalon transmetimin!

Nuk është hera e parë që Komuna e Dragashit, e udhëhequr nga Kryetari Bexhet Xheladini, ka zgjedhur të reagojë ashpër ndaj mediave lokale për shkak të raportimeve që nuk i kanë pëlqyer.

Komuna përmes një reagimi nga kreyari ka konfirmuar ndalimin e bashkëpunimit me Radio Sharrin.

NJOFTIM PËR OPINIONIN PUBLIK

Të nderuar qytetarë të Komunës së Dragashit,

Ju informoj se sot jam njoftuar se aktivitetet e organizuara me rastin e Ditës së Çlirimit – përkatësisht seanca solemne dhe ceremonia e binjakëzimit me Komunën e Mavrovës dhe Rostushës – nga ana Radio Sharrit,nuk janë transmetuar drejtpërdrejt, çka përbën një akt i papranueshëm dhe sabotazh ndaj Dtës së Qlirimit si dhe ndaj punës së Kryetarit dhe Kryesueses së Kuvendit.

Duke marrë parasysh se raste të tilla po përsëriten, do të jemi të detyruar të rishqyrtojmë bashkëpunimin e mëtejmë me këtë institucion medial.

Me respekt,

Bexhet Xheladini

Kryetar i Komunës së Dragashit

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe PDK-ja, dega Dragash:

REAGIM

Lidhur me sulmet publike të Kryetarit të Komunës ndaj Radio “Sharrit”

Të nderuar qytetarë,

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Dragash, që në fillim, nuk ka pasur dëshirë të përfshihet në këtë çështje, duke besuar se mosmarrëveshja do të zgjidhej në mënyrë institucionale, mes Radio “Sharrit” dhe autoriteteve komunale. Fatkeqësisht, kryeneçësia dhe vazhdimi i bojkoteve e shantazheve nga ana e Kryetarit të Komunës na detyrojnë të ndërhyjmë publikisht për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe të drejtën e informimit.

Prej më shumë se 26 vitesh, që nga paslufta, Radio “Sharri” ka qenë dritarja kryesore e informacionit për qytetarët e Dragashit, duke raportuar pa ndërprerje për çdo zhvillim lokal, edhe në kushte të vështira financiare e pa mbështetje institucionale. Ky medium nuk është vetëm zë informues, por arkivë e gjallë e historisë së komunës sonë.

Radio “Sharri” nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pronë e asnjë partie politike. Ajo u përket qytetarëve – të gjithëve, pa dallim bindjeje apo përkatësie. Kërcënimi dhe presioni i Kryetarit të Komunës, nën arsyetimin banal të mostransmetimit të një seance, është një tentativë e rrezikshme për të heshtur një zë të pavarur dhe një precedent shqetësues. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë nga asnjë Kryetar i Komunës, pavarësisht bindjeve të tyre politike.

Ky sulm nuk është vetëm ndaj Radio “Sharrit”; ai është paralajmërim për të gjitha mediat dhe portalet lokale, një përpjekje për kontroll politik që cenon rëndë demokracinë lokale.

Prandaj:

1. I bëjmë thirrje Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe organizatave për mbrojtjen e lirisë së medias të reagojnë menjëherë ndaj kësaj shkeljeje dhe të ofrojnë mbështetje për gazetarët në Dragash.

2. Kërkojmë nga Kryetari i Komunës të tërheqë menjëherë bojkotin dhe të ndërpresë çdo formë presioni ndaj Radio “Sharrit”.

3. Ftojmë qytetarët dhe shoqërinë civile të solidarizohen me çdo medium lokal që punon me ndershmëri dhe paanshmëri.

PDK Dragash qëndron fuqishëm në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe nuk do të qëndrojë indiferente ndaj përpjekjeve për ta heshtur fjalën e lirë. Pa media të pavarura nuk ka demokraci.

Me respekt,

Dega e PDK-së në Dragash

Më poshtë e gjeni reagimin e plotë të Drejtorit të Radio Sharrit:

SQARIM PUBLIK…

– Më datën 13 qershor të këtij viti, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, kishte postuar në profilin e tij në Facebook një reagim, përmes të cilit fajësonte institucionin mediatik që e drejtoj unë (Radio SHARRI), se nuk e paska kryer punën siç duhet kundrejt Komunës, saktësisht, nuk e paska transmetuar LIVE mbledhjen solemne për Ditën e Çlirimit, si dhe ceremoninë e binjakëzimit të Komunës së Dragashit me Komunën e Mavrovës – Rostushës, nga Maqedonia e Veriut!

Kryetari, në këtë postim, e kishte cilësuar këtë si “akt të papranueshëm dhe sabotazh ndaj Ditës së Çlirimit, si dhe ndaj punës së Kryetarit dhe Kryesueses së Kuvendit”.
Akuza për sabotim, realisht na ka fyer pa masë sepse, për 26 vjet punë, kjo medie e parë shqiptare në këto troje, asnjëherë nuk ka sabotuar dikë. Përkundrazi, është sabotuar shpeshherë nga subjekte të ndryshme, sidomos nga subjektet politike. Dhe, për çudi, ende po mbahet në këmbë, falë mundit, vullnetit dhe këmbëngulësisë sime që të mbahet dhe zhvillohet edhe më shumë, për arsyen e vetme se është radio e parë shqiptare, rrjedhimisht edhe pjesë e historisë sonë lokale!

Në fund të reagimit, kryetari paralajmëron rishqyrtimin e kontratës dhe bashkëpunimin e mëtejmë me, po këtë medie, e cila ishte themeluar me shumë mund, dashuri e sakrificë, me ndihmën më të madhe të qeverisë gjermane, e cila, përmes ushtarëve të saj që ishin të stacionuar në regjionin tonë, kishte mundësuar blerjen e pajisjeve bashkëkohore, me shpresë se, në një kohë më të mirë, zgjidhjen e statusit të Kosovës, do të dijmë ta zhvillojmë vetë këtë institucion. Por, ja ku jemi sot! Kaluan 17 vjet që nga pavarësia e Kosovës, e ne ende ballafaqohemi me probleme të tilla.
Sido që të jetë, përkundër argumenteve të shumta që kemi, se nuk jemi fajtorë për asgjë, madje faktit, se kemi bërë edhe më shumë seç parasheh një kontratë e vitit 2013, deri më sot nuk kemi reaguar ndaj këtij veprimi të kreut të Komunës.

Por, pas ngjarjeve dhe zhvillimeve në mbledhjen e sotme të Kuvendit, jemi të detyruar të reagojmë, pasi aty u qortuam, u nënvlerësuam edhe dëgjuam shumë të pavërteta dhe mosnjohje të përmbajtjes së kontratës nga ana e kryetarit, sidomos nga ana e kryesueses, e cila kërkonte një shërbim, i cili nuk parashihet në kontratën që kemi me Komunën, duke e vënë në lajthitje edhe kryetarin Xheladini, i cili njihet për vullnetin e mirë që ka për ta çuar përpara këtë komunë të varfer.