22:50 / E Hënë, 24 Qershor 2019 / indeksADMonline

Kryetari i Komunës së Milanit tregon se a do të rrënohet ‘San Siro’

Presidenti i Milanit, Paolo Scaroni dhe Administratori i Interit, Alessandro Antonello njoftuan sot se dy klubet e Milanos kanë rënë dakord për ndërtimin e një stadiumi të ri pranë “San Siro”-s dhe shembjes së këtij të fundit, menjëherë sapo të jetë gati impianti tjetër.

“Do të ndërtojmë një “San Siro” të ri, pranë atij të vjetrit, që më pas do të shembet dhe në vendin ku ndodhet, do të bëhen ndërtime të tjera”, tha Scaroni, ndërsa konfirmimi i fjalëve të tij erdhi edhe nga Antonello.

Por vetëm pak më vonë reagoi edhe kryetari i komunës së Milanos, Giuseppe Sala, i cili theksoi se respekton vendimin e dy klubeve, por kujtoi se pronari aktual i “San Siro”-s është bashkia dhe se për prishjen vendos vetëm ajo.

“Respektoj plotësisht zgjedhjen e dy klubeve, por për prishjen vendos bashkia, që është pronare e “San Siro”-s. Impianti aktual do të jetë në dispozicion deri në vitin 2026, kur të mbahen Lojërat Olimpike Dimërore dhe më pas, nëse do të jetë një tjetër stadium, do të mendojmë edhe shembjen”, tha Sala.