12:45 / E Premte, 02 Qershor 2023 / L K

Kryetari i LDK-së e pyet Kurtin: Meqë po i njeh bandat kriminale me emër e mbiemër, pse nuk po i arreston?

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku gjatë fjalimit të tij në seancën e jashtëzakonshme për situatën në Veri, në Kuvend, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Kurti që lexoi emrat dhe mbiemrat e të ashtuquajturave anëtarë të bandave kriminale të Serbisë në veri të vendit që po sulmojnë KFOR- in, gazetarët dhe Policinë e Kosovës. Abdixhiku tha se Kurti po i njeh me emër e mbiemër, po e di se ku i kanë shtëpitë, por nuk po i arreston.

“Këtë të premte bëhet një javë nga sulmi jo i paprecedente dhe gjithsesi jo i rrallë i sulmeve të bandave kriminale në veri, që kryeministri po i njeh me emër dhe mbiemër, por janë ende të lirë, të pa arrestuar, por ky po i njeh dhe po na ligjëron për to por janë të lirë”, tha Abdixhiku.

Sipas kryetarit të LDK-së, sulmet janë kundrejt institucioneve të Republikës së Kosovës përkatësisht zyrave të kryetarëve të komunave në veri, kryetarë të zgjedhur me një proces demokratik të njohur brenda dhe ndërkombëtarësh.

“Dhe sulmi i nisur ndaj Policisë nga bandat që kryeministri i njeh, por si arreston, ndaj gazetarëve shqiptarë raportues atje, u shndërrua shpejt në sulm ndaj shtabit të KFORIT, nga bandat  që kryeministri i njeh me emër dhe mbiemër, me adresë, me armatim me shtëpi, por i lë të lirë, se këto banda qëndronin kundër demokracisë, kundër raportimit të lirë por edhe kundër vlerave euro-atlantike të shpërfaqë nëpërmjet ushtarëve të KFORIT në terren”, tha Abdixhiku. Duke shtuar tutje se në një përballje të tillë baret ishin të ndara dhe të qarta, në njërën anë ishin institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës, dhe ushtarët e NATOS, dhe në anën tjetër bandat kriminale të sponsorizuara nga aparati shtetëror i Serbisë.

“Bandat që Kryeministri i Kosovës po i njeh me emër mbiemër dhe adresë por po i lë të lirë dhe na ligjëron në Parlament”, tha kryetari i LDK-së.