15:00 / E Hënë, 08 Mars 2021 / OSH

Kthehet në Kosovë i lënduari nga shpërthimi në Ferizaj, atë e pret Zemaj

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka pritur në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Enver Xhoklin, i cili ishte dërguar për trajtim mjekësor në Grac të Austrisë, pas shpërthimit të bombolës së gazit në restorantin “Steak House”, në Ferizaj .

Zemaj pasi ka falënderuar shtetin austriak për ndihmesën e dhënë në shërimin e tij, ka thënë se sot është ditë gëzimi, duke besuar se Xhokli do t’i kthehet normalitetit dhe jetës së tij.

“Ne pritën Enverin një nga të aksidentuarit që ndodhi para ca kohësh në Ferizaj. Dëshiroj  të falënderojmë shtetin mik Austrinë, ambasadorin konkretisht, i cili me gjithë humanizmin, por edhe profesionalizmin, janë angazhuar  që në mënyrë të shpejtë të mundshme që dy bashkqytetarët tanë  të  shërohen e të kthehen te familjet e tyre.

Sot është një ditë gëzimi, besoj që Enveri do t’i kthehet aktiviteteve të tij dhe familjes si më parë. Faleminderit të gjithëve për angazhimin mbi të gjitha profesionistëve tanë, që me intervenimin e tyre kanë bërë të mundur që Enveri të kthehet”, tha Zemaj.

Ai, po ashtu përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se trajtimi i tij është bërë po ashtu në klinikën e specializuar kundër djegieve në Spitalin e Gracit të Austrisë. Shërimin e morën përsipër institucionet e Austrisë dhe përkrahjen e kancelarit austriak, z. Sebastian Kurz.

“Shpreh falënderim të thellë për të gjithë kontribuesit për trajtimin dhe kujdesin për të lënduarit tanë, udhëheqësit e Austrisë dhe Turqisë, ambasadorët Pllana dhe Dugolli si edhe familjet e të lënduarve për mirëkuptim dhe bashkëpunim”, tha Zemaj.

IndeksOnline ju sjell pamje: