Kthehet shuma e bursave prej 600 eurove
Këshilli Drejtues i UP-së në mbledhjen e sotme vendosi që bursat studentore përsëri ta kenë vlerën 600 euro.
Bursat studentore edhe sivjet do ta kenë vlerën 600 euro, pasi kështu vendosi Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e sotme.
“Këshilli Drejtues mbajti mbledhjen me pikat e caktuara, mbledhjen e kaluar është thënë kërkesa e parlamentit studentor është shqyrtuar ai vendim, u mor vendim që lartësia e bursave të kthehet në vlerën 600 euro”, tha kryetari i Këshillit Drejtues, Ismet Salihu.
Salihu deklaroi se këto janë mundësitë buxhetore të UP-së, ndërsa tregoi se këshilli ka kërkuar mjete shtesë nga MASHT-i në mënyrë që në të ardhmen bursat të rriten.
I njëjti këshill në fund të dhjetorit të vitit që shkoi mori vendim që bursat të ulen nga 600 në 500 euro, por ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi tha se bursat duhet të jenë të dinjitetshme.