10:59 / E Enjte, 30 Janar 2020 / indeksADMonline

Kujdes ku pini duhan: Mund të gjobiteni me 50 dhe, 3000 euro, në Gjakovë

Duhanpirësit në Komunën e Gjakovës tani duhet të kenë kujdes më të shtuar se në cilat hapësira lejohet konsumimi i duhanit, shkruan IndeksOnline.

Kjo pasi që inspektorët sanitarë janë duke kontrolluar “me të madhe” mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit.

Sipas një qytetarjeje në vikendin e kaluar në Gjakovë janë gjobitur disa persona fizikë në një kafene për pirjen e cigares.

Artan Hoxha, udhëheqës i Sektorit për Inspektime në Gjakovë, për IndeksOnline, ka thënë se nga viti i kaluar dhe deri tani janë shqiptuar mbi 35 gjoba.

“Inspektorët sanitarë në Komunën e Gjakovës, përveç detyrave dhe përgjegjësive të tjera që kanë, sigurisht që mbikëqyrin edhe zbatimin e Ligjit për kontrollin e duhanit.

Nga viti i kaluar dhe deri tani janë shqiptuar mbi 35 gjoba, ndërsa janë dhëne dhe shume vërejtje nga inspektorët sanitarë”, ka thënë ai.

Hoxha bëri të ditur se se gjobat janë shqiptuar edhe për persona fizikë, 50 euro dhe për subjektin afarist 3000 euro.

Ndërsa për personin përgjegjës 500 euro.

“Gjobat janë shqiptuar edhe për persona fizik dhe për persona përgjegjës, ndërsa për subjektin afarist lëndët janë procedura në Gjykatë. Gjobat për personin juridik-subjektin afarist janë 3000 euro, për personin fizik 50 euro, ndërsa për personin përgjegjës 500 euro, ashtu siç dhe është e përcaktuar me ligjin për kontrollin e duhanit.

Inspektorët sanitar në Komunën e Gjakovës në vazhdimësi kryejnë inspektime në kuadër të kompetencave të tyre, ku ndër to është edhe mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit”, shtoi udhëheqësi i Sektorit për Inspektime./IndeksOnline/