15:08 / E Premte, 22 Shtator 2023 / L K

Kujdes nga biletat në tregun e zi për ndeshjen Shqipëri-Çeki

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Çekisë, që do të luhet në datën 12 tetor në “Air Albania”, është një nga më të rëndësishmet për kuqezinjtë e Sylvinhos. Që nëse do marrin një tjetër rezultat pozitiv do të afroheshin akoma dhe më shumë me kualifikimin në finalet e Europianit të vitit të ardhshëm. Që do të organizohet në Gjermani.

Ndikuar nga rëndësia e ndeshjes por dhe forma e mirë e Kombëtares në përballjet e fundit, interesimi për këtë sfidë ka qenë i jashtëzakonshëm! Biletat u shitën në më pak se 3 orë, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit deklaroi se ka patur më shumë se 300 mijë kërkesa.

Pas shitjes zyrtare, rrjetet sociale janë mbushur me postime, ku lexohet se individë të caktuar zotërojnë një numër të konsiderueshëm biletash. Dhe janë të gatshëm t’i rishesin ato me çmime disa herë më të larta.

Zotërimi virtual i biletave shton mundësinë që persona anonim të rishesin biletën më shumë se një herë… Biletat elektronike kanë një Bar Kod që mund të skanohet vetëm një herë. Dhe nëse bileta blihet më shumë se një herë, atëherë vetëm personi i parë që paraqitet tek kontrolli elektronik mund të futet në stadium.

Shitja e biletave në tregun e zi është një fenomen botëror, por rreziku për të rënë pre e mashtrimit është i madh, diçka që mund të ndikojë drejtpërdrejt në financat e blerësve. Por në të njëjtën kohë dhe të mbetet jashtë stadiumeve.