19:38 / E Martë, 10 Tetor 2017 / indeksADMonline

Kujtohen deputetët e pushkatuar në ‘47

Deputetët e parlamentit shqiptarë nderuan sot kujtimin e kolegëve të tyre që në vitin 1947 u pushkatuan nga rregjimi komunist. Mbledhja e sotme ishte në një farë mënyrë një reflektim ndaj së kaluarës komuniste të vendit, një e kaluar për të cilën ka shumë debate, për mënyrën se si komunizmi dhe krimet e tij duheshin dënuar, apo se si do të duhej të ishte bërë një ndarje e qartë me diktaturën.

Drejtuesit kryesor politik të vendit, folën gjatë për krimet e komunizmit në Shqipëri, por ata dhe sot nuk i shpëtuan kurthit të seancave normale të parlamentit, ku shigjetat ndaj njëri tjetrit nuk mungojnë asnjëherë.

Për kryeministrin Edi Rama, ligji për hapjen e dosjeve, i miratuar dy vjet më parë, “pas 25 vitesh e bashkoi Shqipërinë me vendet që kaluan përmes ferrit komunist dhe që vendosën të ndahen me të, jo thjesht duke ndërruar sistemin dhe kostumet, por duke guxuar të bëjnë dritë mbi të shkuarën” tha ai duke shtuar më pas se “Unë nuk mund të mos jem sot krenar për faktin që jam në krye të një qeverie dhe të një shumice, që këtë mision e mori përsipër, pasi të tjerët përpara nesh nuk e patën kurajon ta merrnin, apo nuk gjetën kohë ta merrnin, edhe pse shumë kohë shpenzuan dhe shpenzuam të gjithë sëbashku, duke baltosur njëri-tjetrin me duart e padukshme të atyre fantazmave që fshihen nën kapakët e dosjeve”.

Nga ana e tij kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se ndjehej fajtor “si politikan e qytetar për shumëçka që nuk është bërë për të dënuar krimet e komunizmit, për të dënuar mentalitetin dhe praktikën komuniste dhe diktatoriale. 70 vjet pas vrasjes së deputetëve – u shpreh zoti Basha – unë ndjehem i turpëruar që jam pjesë e një kuvendi i cili drejtohet nga njëri prej atyre që ishte pjesë aktive e asaj klike kriminale që vrau dhe dhunoi shqiptarët që donin lirinë dhe dinjitetin e njeriut. Ndjehem i trishtuar që 27 vjet pas rënies së komunizmit ky vend ende vazhdon të ketë në krye të institucioneve njerëz të edukuar dhe stërvitur me mësimet e Enver Hoxhës dhe të ushtruar me frymën dhe praktikën enveriste”.

Për ambasadorin e OSBE-së, qëndrimi i përbashkët politik ndaj së kaluarës, “është gur kilometrik për procesin që ka filluar në Shqipëri përmes diskutimeve publike, ndërtimit të muzeve, vendeve të kujtesës dhe ngritjes së Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit: ky është dialog kombëtar mbi të kaluarën”, tha ai./VOA