75 Mall Live Search
10:20 / E Hënë, 29 Qershor 2026 / OSH

Kukaj kërkon mbi 321 mijë euro dëmshpërblim nga Komuna e Prishtinës

Ka përfunduar seanca e rigjykimit në rastin e padisë së Faruk Kukajt kundër Komunës së Prishtinës për diskriminim, ku mbrojtja e tij kërkoi që gjykata ta aprovojë në tërësi padinë dhe ta obligojë komunën të paguajë mbi 321 mijë euro dëmshpërblim për dëmin material dhe jomaterial të shkaktuar.

Rasti është kthyer në rigjykim pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila kishte konstatuar shkelje procedurale nga Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit, ndërsa pas administrimit të provave, gjyqtari Blerand Rrmoku bëri të ditur se palët do të njoftohen me kohë për aktgjykimin.

Në fjalën përfundimtare, avokati i Faruk Kukajt, Sylejman Klinaku, tha se, duke pasur parasysh rekomandimet e Gjykatës Supreme dhe ndryshimin e padisë të aprovuar nga gjykata, mbrojtja mbetet në tërësi pranë kërkesëpadisë.

Ai kërkoi që gjykata të vërtetojë se Komuna e Prishtinës ka kryer veprime dhe mosveprime diskriminuese ndaj Kukajt, ta obligojë komunën t’i eliminojë të gjitha veprimet diskriminuese dhe t’i ndalohet kryerja e tyre edhe në të ardhmen.

Po ashtu, Klinaku kërkoi kompensim për dëmin material në vlerë prej 21 mijë e 150 eurosh për shpenzimet e shoqëruesit nga viti 2015 deri më 14 shtator 2022, si dhe 300 mijë euro për dëmin jomaterial.“Fjala përfundimtare, prandaj duke pasur parasysh edhe rekomandimet e Gjykatës Supreme, e cila për arsye të shkeljeve procedurale të Gjykatës Themelore dhe të asaj të Apelit e ka kthyer në rigjykim këtë çështje, duke i dhënë edhe rekomandimet si të veprojë tani Gjykata Themelore në Prishtinë.

Mbi këtë bazë, pas aprovimit të ndryshimit të padisë në pikëpamje të lartësisë sipas parashtresës, e cila kjo gjykatë e ka aprovuar në seancën e kaluar, ne edhe më tutje mbesim pas parashtresës, respektivisht fjalës përfundimtare dhe pas administrimit të të gjitha provave të nxjerra më herët kërkojmë nga gjykata të nxjerrë aktvendim, aprovohet kërkesëpadia dhe vërtetohet se e paditura ka kryer veprime apo mosveprime diskriminuese ndaj paditësit, nën një detyrohet e paditura që t’i eliminojë të gjitha veprimet diskriminuese ndaj paditësit si dhe t’i ndalohet të paditurës kryerja e veprimeve diskriminuese në të ardhmen e të cilat mund të shkelin të drejtën e paditësit në të ardhmen.

Detyrohet e paditura që të bëjë shpërblimin e dëmit, kompensimin për dëmin material për karrocë në shumën 150 euro, për një asistent nga viti 2015 deri në datën 14.09.2022 shumën sipas pagës minimale të atëhershme në vlerë 250 euro neto dhe në total 21 mijë euro, si dhe dëmin material për dhimbjen shpirtërore dhe dhimbjet e përjetuara të paditësit për periudhën nga fillimi i vitit 2015 deri në datën 14.09.2022 në shumën e përgjithshme 300 mijë euro, që në shumën e përgjithshme për dy dëmet materiale dhe jomateriale është 321 mijë e 150 euro për shkak të diskriminimit të rëndë”, tha Klinaku. Nga anë tjetër, përfaqësuesja ligjore e Komunës së Prishtinës, Kaltrina Velegu, kërkoi që padia të refuzohet si e pabazuar, duke theksuar se paditësi nuk ka arritur të dëshmonteë ekzistimin e diskriminimit.

“Komuna e Prishtinës mbetet pranë të gjitha deklarimeve të dhëna më herët. Konsiderojmë që paditësi nuk ka arritur të dëshmojë ekzistimin e diskriminimit, trajtimit të pabarabartë apo ndonjë shkelje tjetër. Andaj mbetemi në tërësi pranë qëndrimeve tona dhe kërkojmë që kërkesëpadia të refuzohet si e pabazuar”, tha Velegu.Pas kësaj, gjyqtari Blerand Rrmoku njoftoi se gjykata kalon në administrimin e provave.“Gjykata kalon në administrimin e provave”, tha gjyqtari.

Pas administrimit të provave, avokati Klinaku tha se ato dëshmojnë se Komuna e Prishtinës ka kryer shkelje ligjore diskriminuese ndaj klientit të tij.Ai shtoi se këtë e dëshmojnë edhe aktgjykimi i mëhershëm i Gjykatës Themelore dhe ai i Gjykatës së Apelit, ndërsa tha se pas vendimit të Gjykatës Supreme beson se drejtësia do të vihet në vend.

“Edhe pas administrimit të provave dëshmohet se e paditura ka bërë shkelje ligjore diskriminuese ndaj paditësit, ashtu siç edhe Gjykata Themelore në Prishtinë me aktgjykimin dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës. Konsideroj që kjo që e thashë është përgjigje direkte ndaj deklarimit të sotëm të të paditurës që nuk ka arritur ta vërtetojë diskriminimin paditësi me asnjë provë. Prandaj tani më, pas aktvendimit të Gjykatës Supreme, ne besojmë fuqishëm se në Kosovë ka drejtësi dhe po vihet në zbatim kjo drejtësi dhe ne si paditës mbesim në tërësi pas padisë dhe kërkesëpadisë. Kërkojmë nga gjykata që ta aprovojë në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit”, tha ai. Edhe pas administrimit të provave, përfaqësuesja ligjore e Komunës së Prishtinës përsëriti se paditësi nuk ka arritur të provonte diskriminimin.“Pas administrimit të provave dhe shqyrtimit të çështjes mbetemi pranë të gjitha pretendimeve tona. Vlerësojmë se nga ana e paditësit nuk është provuar asnjë diskriminim nga Komuna e Prishtinës. Për këto arsye i propozojmë gjykatës që kërkesëpadinë ta refuzojë si të pabazuar”, tha Velegu.

Në përfundim të seancës, gjyqtari Blerand Rrmoku njoftoi se palët do të informohen me kohë për datën e shpalljes së aktgjykimit. Faruk Kukaj, person me aftësi të kufizuara dhe përdorues i karrocës, e ka paditur Komunën e Prishtinës duke pretenduar se mungesa e qasjes së përshtatshme në trotuare dhe hapësira publike përbën diskriminim të vazhdueshëm ndaj tij. Ai kërkon mbi 321 mijë euro dëmshpërblim për dëmin material dhe jomaterial, ndërsa rasti është rikthyer në rigjykim pas vendimit të Gjykatës Supreme për shkak të shkeljeve procedurale. Gjykata e Prishtinës në vitin 2022 pjesërisht e aprovoi këtë kërkesë të paditësit Kukaj.

Me vendim gjykata e obligon Komunën e Prishtinës që të kompensojë dëmin e shkaktuar jomaterial në vlerë prej 5,500 eurosh.

“Detyrohet e paditura – Komuna e Prishtinës, që paditësit – Faruk Kukajt, për shkak të diskriminimit nga mosveprimi, mungesa e ofrimit të kushteve fizike në hapësirat publike dhe qasjes në objektet publike për personat me aftësi të kufizuara, t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar jomaterial në emër të cenimit të dinjitetit në shumë prej 5,500 euro”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Prishtinës.E gjithashtu e obligon komunën që të publikojë në media vendimin e gjykatës, përmes të cilit konsiderohet se është vërtetuar se Komuna ka shkelur të drejtën e trajtimit të barabartë ndaj Faruk Kukajt. Sipas padisë, Faruk Kukaj, si person me aftësi të kufizuara dhe shfrytëzues i karrocës si mjet për lëvizje, për shkak të mungesës së kushteve fizike në trotuaret e Prishtinës, nuk ka qasje të duhur për të lëvizur lirshëm në rrugët e qytetit. Për shkak të mungesës së qasjes fizike, joadekuate në rrugët/trotuaret, me të cilat hapësira menaxhon e paditura (Komuna e Prishtinës), konkretisht Drejtoria për Shërbime Publike.

Pasi që rrugët të cilat Kukaj i frekuenton janë të patejkalueshme për të, si përdorues i karrocës, ai pretendon se është trajtuar dhe vazhdon të trajtohet padrejtësisht ndryshe nga të tjerët, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Sipas Kukajt, Komuna e Prishtinës duke mos rregulluar infrastrukturën ka bërë dhe vazhdon të bëjë diskriminim ndaj tij, me ç’rast kjo është në mospërputhje me ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi. Tutje në padi thuhet se, Kukaj gjithnjë ka nevojë për asistencë të së paku dy personave, në mënyrë që të arrijë në vendin e duhur, kjo për shkak të qasjes që nuk ofrohet nga Komuna e Prishtinës.

Me këtë Kukaj pretendon se Komuna e Prishtinës, jo vetëm që e ka trajtuar ndryshe por dhe i ka humbur mundësinë që ai të jetë pjesë e shoqërisë.Në padi thuhet se Kukaj ndihet i ofenduar për shkak të cenimit të dinjitetit njerëzor dhe po ashtu pretendon se Komuna e Prishtinës ka bërë diskriminim të drejtpërdrejtë, gjë që është e ndaluar me Kushtetutë, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe ligjin për mbrojtje nga diskriminimi.