19:44 / E Shtunë, 05 Mars 2022 / OSH

​Kuleba takon Blinken, thotë se bisedimet ishin produktive

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba pati një “diskutim produktiv” me sekretarin e Shtetit Antony Blinken mbi hapat e ardhshëm për të mbështetur Ukrainën në vazhdën e pushtimit rus.

Në një mesazh televiziv të shtunën, Kuleba tha se ai sapo ishte kthyer nga kufiri ukrainas-polak, ku zhvilloi bisedime me Blinken përgjatë zonës neutrale përpara se të kalonte në Ukrainë në atë që Kuleba e quajti një “simbol mbështetjeje”.

“Ne patëm një diskutim produktiv për efikasitetin e sanksioneve të vendosura tashmë ndaj Rusisë dhe masat e marra, por edhe më e rëndësishmja për hapat tanë të ardhshëm në furnizimin e Ukrainës me armët e nevojshme dhe në vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Rusisë,” tha Kuleba.

Ai shtoi se ishte “i sigurt” se Ukraina dhe SHBA do të zbatojnë rezultatin e bisedimeve “në ditët në vijim”, duke shtuar se SHBA do të bashkojë përpjekjet e saj me aleatët e saj evropianë, transmeton CNN.