23:04 / E Martë, 11 Shtator 2018 / indeksADMonline

Kullat e Jasharajve nuk konservohen sivjet

Kullat e Jasharajve të cilat janë simbol i luftës dhe historisë së familjes Jashari, janë në rrezik nga shembja për shkak të vjetërsisë.

Ndonëse këtë vit është përfolur shumë për konservimin e tyre, kullat historike në Prekaz edhe sivjet mbesin ashtu siç janë.

Kjo për shkak se mjetet e ndara nuk mjaftojnë për konservimin në tërësi të shtëpive të Jasharajve derisa një ligji i ri të formulohet dhe të aprovohet në Kuvend, përmes se cilit parashihen format e ndryshme të tenderimit në këtë kompleks.

Bislim Zogaj, drejtori i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memoriale për Indeksonline ka thënë se sivjet është e pamundur nisja e projektit për konservimin e kullave.

“Mandatin unë e kom marrë që 1 muaj e gjysmë dhe takimin e parë unë e kam patur me Kryetarin e Komunës së Skenderajt, gjegjësit anëtarin e familjes Jashari, Bekimi Jashari. Në kuadër të këtij kompleksi prioriteti i parë është konservimi i shtëpive të Jasharajve, konkretisht familja e Ademit, por edhe shtëpitë e tjera. Por, në takimin me kryetarin, duke llogaritur edhe nga rrethana të tjera, duke llogaritur që edhe ligji për kompleksin Adem Jasharit do të aprovohet shumë shpejtë, jemi marrë vesh me kryetarin që me aprovimin e ligjit për kompleksin do të sigurohet të gjitha mjetet për konservimin e shtëpive se projekti për konservim veç ekziston, agjencioni e ka bërë projektin dhe veç është i gatshëm sa i përket konservimit. Por, ai projekt kushton dikund rreth 6 milionë dhe llogaritshim që më mjetet që janë tash nuk ka mundësi me u kry puna, llogaritëm që me aprovimin e ligjit për kompleksin memorial të Adem Jasharit sigurisht që Qeveria do të gjente mjete të kryente në tërësi këtë projekt. Por, ligji po vonohet dhe me keqardhje, por sivjet do të kemi të pamundur me fillimin e konservimit e këtyre shtëpive. Po mbetët në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë Zogaj.

Ai ka shtuar se 1 milionët e ndarë për këtë vit nuk mjaftojnë për konservimin e gjashtë shtëpive. Prandaj, presin që me ligjin e ri, projekti në tërësi të përfundoj. “Realisht në buxhet kanë qenë 1 milion, edhe ato 1 milion nuk mjaftojnë për konservimin e gjashtë shtëpive. Por, pritnim që me aprovimin e ligjit, të siguroheshin mjete dhe të realizohet projekti në tërësi”, ka theksuar ai.

Zogaj ka shtuar se dimri mund t’i dëmtoj, por dëmet nuk mund të jenë të pariparueshme.

“Jemi të vetëdijshëm që sezona e dimrit mund t’i dëmtoj, por nga rrethanat e krijuara nuk besoj që do bëhen dëme të mëdha sa që të jenë të pariparueshme”, ka shtuar mes të tjerash Zogaj.

Për restaurimin e këtij memoriali, Qeveria e Kosovës ka planifikuar t’i ndajë nga buxheti më shumë se 4 milionë euro. Për vitin 2018 i ka ndarë 1 milionë euro, për vitin 2019 ka planifikuar 2 milionë euro dhe për vitin 2020 po ashtu ka planifikuar t’i ndajë 1 milion e 190 mijë euro, që parashihen për Konservimin e Shtëpive te Rezistencës. Këtu parashihet intervenimi në riparimet e trajeve të dëmtuara në çatitë e mbulojës së kullave të rezistencës, vendosja e kamerave dhe e shenjave orientuese./Indeksonline/

Chat Conversation End
Type a message…