14:05 / E Enjte, 26 Nëntor 2020 / A. M.

Kur edhe Gjykata e Apelit i injoron faktet?

Shkruan: Fahri Musliu

Para dy muajve e mora një aktvendim të Gjykatës së Apelit ku shoh se ajo e ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të padisë time kundër RTK, për mospagimin e tri rrogave mesatare bruto me rastin e pensionimit siç e parashikon edhe neni i caktuar i Kontratës Kolektive të RTK, nga janari i vitit 2007, e cila kontratë ka qenë në fuqi deri në maj të vitit 2016 kur edhe është plotësuar e ndryshuar pjesërisht, dhe atë pa pëlqimin e Sindikatës së Pavarur të RTK por vetëm nga sindikata e formuar nga ish drejtori Mentor Shala meqë me atë ishte në konflikt të përhershëm.

 Në procesin gjyqësor në shkallën e parë, të drejtuar nga gjyqtari Hysni Ismaili,  u përballa me analfabetizëm të madh të gjyqtarit dhe gënjeshtrat e përfaqësuesit juridik të RTK e cila e mashtronte gjyqtarin me të pavërteta, ndonëse dëshmitë e mia ishin tjera .Ishte e habitshme se si gjyqtari i rastit nuk e dinte se çka nënkupton “tri rroga mesatare bruto, të tre muajve të fundit”, për çka din çdo kontabilist  dhe punëtor i RTK, dhe nuk e mori parasysh aneksin e vendimit të marrëdhënies së punës sipas të cilit rroga bazë shtohet për 200%, dhe kështu ka qenë që nga 1 qershori i vitit 2005, kur kam kaluar të punojë si korrespondent i RTK nga Beograd, dhe atë falë angazhimit dhe lutjeve të ish drejtorit Agim Zatriqi.

Për fat të keq aktgjykimin e shkallës së parë e konfirmon edhe Gjykata e Apelit duke mos i marrë parasysh faktet, e madje duke u shërbyer me gënjeshtra se “Kontrata kolektive nuk ka qenë e nënshkruar dhe si e tillë nuk është valide”, edhe pse provat dëshmojnë ndryshe.  Për të dëshmuar tëp vërtetën po publikojë pjesë nga vendimi i Gjykatës së Apelit dhe të dokumenteve përkatëse , të cilat e përgënjeshtrojnë në tërësi vendimin edhe të Gjykatës Themelore në Prishtinë edhe atë të Apelit.

Nuk di në shërbim të kujt është gjyqësia në Kosovë; të mbrojtjes së ligjit e të drejtës apo të shkeljes drastike të tyre, duke u shërbyer edhe me falsifikime e gënjeshtra. Kur kështu veprojnë institucionet që duhet të ndajnë drejtësi, çka të presin qytetarët nga institucionet tjera shtetërore?   

                                                                                               (22.09.2020)

                                                                                          Ac.nr.2686/19

GJYKATA E APELIT E KOSOVËS NË PRISHTINË, në kolegjin e përbërë prej gjyqtarëve Mehmet Ndrecaj – kryetar i kolegjit, Rrustem Thaqi e Faton Ademi – anëtar të kolegjit, në çështjen juridike kontestimore të paditësit Fahri Musliu nga Prizreni, të cilin e përfaqëson sipas autorizimit Av.Teki Bokshi, Gjakovë, kundër të paditurit Radiotelevizioni i Kosovës në Prishtinë, për shkak të kompensimit të pagave pas pensionimit, duke vendosur lidhur me ankesën e paditësit të parashtruar kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – departamenti i përgjithshëm, C.nr.558/15, të datës 19.03.2019, në seancën e kolegjit, të mbajtur më 17.06.2020, mori këtë:

AKTGJYKIM

REFUZOHET e pathemeltë ankesa e paditësit Fahri Musliu nga Prizreni, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – departamenti i përgjithshëm, C.nr.558/2015, i datës 19.03.2019, VËRTETOHET.

Arsyetim

…Gjykata e Apelit si gjykatë e shkallës së dytë, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore lidhur me aktgjykimin e atakuar, e në mbështetje të nenit 194, 195 dhe 200 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (LPK), ka gjetur se:

– Ankesa e paditësit është e pathemeltë.

…Në arsyetimin e këtij aktgjykimi gjykata ka theksuar se kërkesëpadia e paditësit është e pa bazuar në rend të parë për faktin se referimi i kërkesëpadisë bëhet në dispozitat e Kontratës kolektive të RTK të vitit 2007, e cila kontratë në kohën e inicimit të procedurës kontestimore ishte e pa nënshkruar dhe nuk ka prodhuar asnjëherë efekt juridik për palët.

…Ne bazë të nenit 90.5 të Ligjit të Punës parashihet se “Marrëveshja Kolektive vlen për ata punëdhënës dhe punëmarrës të cilët marrin përsipër detyrimet e përcaktuara me Marrëveshjen e tillë Kolektive”. Gjykata e Apelit e aprovon në tërësi arsyetimin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë sa i përket vendosjes lidhur me refuzimin e kërkesëpadisë së paditësit pasi që Kontrata Kolektive e RTK e vitit 2007 ishte e pa nënshkruar, andaj edhe kjo kontratë nuk mund të krijojë efekte juridike në këtë rast për palën e paditur, përderisa nuk është nënshkruar. Ne bazë të nenit 90.4 të Ligjit të Punës parashihet se “Marrëveshja Kolektive mund të lidhet për një periudhë të caktuar me kohëzgjatje jo më shumë se tri (3) vjet”, andaj edhe po të ishte e paditura nënshkruese e asaj kontrate, e njëjta do të prodhonte efekt për tre vite, që do të thotë deri në vitin 2010.

Gjykata e Apelit me rastin e vendosjes i vlerësoi edhe pretendimet e tjera ankimore, mirëpo të njëjtat nuk ishin me ndikim për një vendim ndryshe për çka edhe vendosi si në dispozitiv të këtij aktgjykimi.

Nga të lartcekurat e në mbështetje të dispozitës së nenit 195.1 pika d), lidhur .me nenin 200 të LPK-së, është vendosur si në dispozitiv të këtij aktgjykimi.