10:23 / E Enjte, 20 Janar 2022 / k.v

Kur pritet të emërohet Drejtori i ri i RTK-së, ja çfarë thotë ligji

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës, të mërkurën pas një mbledhje maratonike ka shkarkuar Drejtorin e RTK-së, Ngadhnjim Kastratin duke ja numëruar një varg shkeljesh të cilat pretendohet se i ka bërë ai gjatë mandatit të tij.

Menjëherë si ushtrues detyre i Drejtorit është caktuar Shkumbin Ahmetxhekaj. Bordi tani pa humbur kohë duhet të përgatit konkursin për drejtor të ri, shkruan IndeksOnline.

Në nenin 32 të Ligjit për RTK specifikohen në detaje kushtet për emërim dhe shkarkim të Drejtorit të Përgjithshëm.

“Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së e emëron Bordi i RTK-së në bazë të ligjit e sipas procedurave të caktuara, të parapara me konkurs publik. Drejtori i Përgjithshëm duhet të jetë shtetas i Republikës së Kosovës dhe person me përvojë të menaxhimit të medieve apo fushave tjera relevante. Drejtori i Përgjithshëm i RTK-se emërohet dhe shkarkohet me 2/3 e votave të anëtarëve të Bordit. Mandati i tij do të jetë tri (3) vjet me mundësi të rizgjedhjes në bazë të konkursit, vetëm edhe për një mandat pasues”, thuhet në ligj.

Kompetencat, detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtorit të Përgjithshëm janë:

1. Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së ka këto kompetenca, përgjegjësi dhe detyra:

1.1. menaxhon veprimtarinë e RTK-së në pajtim me këtë ligj dhe me statutin e RTK- si dhe me Kodin Etik të RTK- së; 19

1.2. zgjedh dhe shkarkon personelin e RTK-së, në përputhje me ligjet që rregullojnë marrëdhëniet e punës, Ligjin e RTK-së dhe Statutin e RTK-së;

1.3. merr vendim lidhur me çështjet e organizimit, financave dhe pagave, në bazë të kritereve të përcaktuara nga Bordi i RTK-së;

1.4. e përfaqëson RTK-në brenda dhe jashtë vendit;

1.5. bashkërendon punën e njësive administrative të sistemit të RTK-ës dhe zgjidh, brenda kompetencave të tij, mosmarrëveshjet midis tyre; Drejtori i Përgjithshëm i RTK-se i raporton Bordit se paku një herë në muaj;

1.6. përgatit dhe i paraqet Bordit një plan program vjetor i cili është në përputhshmëri me ligjin dhe standardet ndërkombëtare dhe mandatin e RTK-së siç është përcaktuar me këtë ligj;

1.7. ndërmerr masat korrigjuese pas konstatimit nga ana e tij se ka pasur shkelje të standardeve, rregulloreve dhe ligjeve të aplikueshme,

1.8. kryen punë tjera të përcaktuara me Statutin e RTK-së.

Sikurse Drejtorin e Përgjithshëm, edhe zëvendësdrejtori(ët) e përgjithshëm i zgjedh Bordi i RTK-së në bazë të konkursit publik dhe sipas propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm.

Zv/drejtorët e përgjithshëm e ndihmojnë dhe zëvendësojnë Drejtorin e Përgjithshëm në udhëheqjen e RTK-së.

Në bazë të propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm, Bordi vendos për numrin e së paku një zëvendës drejtori dhe jo më shumë së dy./IndeksOnline/