15:51 / E Martë, 16 Janar 2018 / indeksADMonline

Kur pritet të rifillojnë bisedimet mes Prishtinës e Beogradit?

Vrasja e Oliver Ivanoviq ka bërë që bisedimet mes Prishtinës e Beogradit që ishin planifikuar të mbaheshin sot të shtyhen për një afat të pacaktuar.

Të dy palët e kanë konfirmuar se bisedimet janë shtyer për shkak se pala serbe është nisur për Beograd me të marrë lajmin se Ivanoviq ka ndërruar jetë.

“Delegacioni serb e ka anuluar takimin menjëherë pas marrjes së lajmit për vdekjen e Ivanoviq. Ne po qëndrojmë ende ne Bruksel dhe në koordinim me BE-në do të vendosim për hapat e radhës” ka thënë Avni Arifi për Indeksonline.

Është pikërisht edhe Drejtori i të Ashtuquajturës Zyra për Kosovën, njëherësh përfaqësues I shtetit serb në këto bisedime, Marko Gjuriq, i cili ka konfirmuar se nuk do të jenë në bisedime për një kohë të pacaktuar, siç thonë ata deri në një vendim të ri nga pala biseduese.

Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin arritur dje në Bruksel teksa sot pritej që të fillonin bisedimet në të cilat do të diskutohej për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe si dhe liria e lëvizjes dhe drejtësia.

Diskutimet parashihej të fillonin sot dhe të përfundonin me datën 18 janar./Indeksonline/