19:20 / E Mërkurë, 11 Nëntor 2020 / Blerim

Kur të fillohet antikoagulimi pas infraktit akut trunor?

Fibrilacioni atrial është përgjegjës për rreth 20% të infarkteve akute trunore. Derisa pacienti i cili pëson infarkt akut trunor është në rrezik të shtuar për përsëritje të infarktit në ditët e para, nga ana tjetër indi i shkrifët trunor nga infarkti ka prirje për gjakderdhje, gjë që e bën të pamundur antikoagulimin efektiv menjëherë pas ngjarjes. Prandaj, shpesh duhet të presim 10 deri në 14 ditë për të filluar antikoagulimin e pacientëve, duke pasur parasysh ndërkohë që pacientët mbesin jo plotësisht të mbrojtur gjatë kësaj kohe të pritjes.

Analizimi i praktikave mjekësore në 1289 pacientë me infarkt akut trunor dhe fibrilacion atrial është munduar të japë një pasqyrë të qartë dhe nga rezultatet e fituata duket se ka arritur të japë dy përgjigje të rëndësishme. E para, i ashtuquajturi “urëzim” – fillimi me Clexane/Fraxiparine/Heparin dhe kalimi më pas në antikoagulues oral (Varfarin/Rivaroxaban/Apixaban) – nuk e ka pakësuar rrezikun e përsëritjes së infarktit trunor dhe ka shkaktuar gjakderdhje brendatrunore të mëvonshme. Kurse përgjigja e dytë e fituar është se antikoaguluesit e rinj oralë (Rivaroxaban/Apixaban/Edoxaban) kanë qenë dyfish më efikas në parandalimin e infarktit të përsëritur trunor brenda 90 ditëve dhe nuk kanë shkaktuar më tepër gjakderdhje brendatrunore simptomatike.

Meqenëse në studimet e dobisë së antikoaguluesve përjashtohen zakonisht pacientët me infarkt trunor brenda 90 ditëve të fundit, mbetet që ta vazhdojmë praktikën që fillimin e antikoagulimit ta gjykojmë në bazë të madhësisë së infarktit trunor dhe të presim së paku 10 ditë pas infarktit akut për ta filluar atë.

Shkruan: Blerim Myftiu, neurolog