14:25 / E Enjte, 27 Korrik 2023 / MSH

“Kur të kthehet ushtria në Kosovë”, Bislimi thotë se Serbia bën vetëm propagandë

Crvena Zvezda luajti dje një miqësore me klubin italian, Fiorentina.

Tifozët e ekipit nga Beogradi shpalosën një afishe të gjatë ku shkruhej “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”, me një tank të madh mbi flamurin serb.

Kjo afishe qëndroi aty përgjatë gjithë lojës, teksa nuk munguan as thirrjet anti-shqiptare.

Lidhur me këtë ka reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Duke shpërndarë një fotografi të tifozëve, Bislimi thoë se pankarta është shfaqur para syve të Vuçiqit.

“E gjithë kjo ndërkohë që edhe Vuçiq ishte i pranishëm në tribuna. I gjithë aparati shtetëror është ndërtuar në Serbi për median, sportin, artin, kulturën, shkencën që të përdoren për mjete propagandistike dhe për të nxitur dhunën, terrorin, tensionet dhe luftën” ka thënë Bislimi.

“Delije”, tifo-grupi i Crvena Zvezdës, sipas Bislimit, shpesh përçon mesazhe të urrejtjes në emër të Vuçiqit.

“Delije shpesh dërgon mesazhe që Vuçiq nuk mund ose nuk dëshiron t’i thotë publikisht. Ai ka nevojë për akte të tilla për të ushqyer urrejtjen dhe nacionalizmin etnik në opinionin publik” përfundoi Bislimi./Indeksonline/