18:12 / E Premte, 19 Prill 2024 / Gj. Sh

Kurdisja e ndeshjes Ulpiana – Vllaznia e Pozheranit, FFK-ja dënon akterët kryesorë

Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka marrë vendime të reja lidhur me ndeshjen Ulpiana – Vllaznia, e cila u konfirmua nga Federata se ka qenë e kurdisur.

FFK-ja publikoi sot vendimet e këtij Komisioni, ku janë të dënuar disa zyrtar e futbollistë, me arsyetimin e “përfshirjes në kurdisje”.

Zyrtari i klubit të Vllaznisë së Pozheranit, Agon Pira, është dënuar me një vit ndalesë të kryerjes së funksioneve zyrtare në klub. Dënim i njëjtë u shqiptua edhe ndaj Meriton Isufit, zyrtarit të Ulpianës.

Me një vit ndalesë loje u dënuan futbollistët e Ulpianës, Samet Rexhepi, Ridon Llugiqi dhe Gentian Emini.

Kujtojmë se Ulpiana dhe Vllaznia u përjashtuan ditë më parë nga Liga e Parë, si shkak i kurdisjes së ndeshjes mes tyre, e cila ishte fituar nga pozheranasit me rezultatin 3:4.