15:35 / E Hënë, 15 Janar 2018 / indeksADMonline

“Kuroj tumorin me sodë”, kështu i mashtronte doktori shqiptarët e sëmurë

Punonte në një klinikë private në Tiranë, ku “tallej” me shqiptarët duke premtuar se mund të kuronte kancerin me sodë, por një italian duket se e ka futur veten në telashe. Ditën e sotme, Gjykata e Romës e ka dënuar Tullio Simoncini me 5 vjet e 6 muaj burg, raporton “La Stampa”.

Ai pretendonte shërimin e tumoreve duke aplikuar një kurë me bazë bikarbonatin e sodës, por ka “marrë në qafë” shumë pacientë si në Shqipëri ashtu edhe Itali.

Simoncini u akuzua për abuzim në ushtrimin e profesionit të mjekut, si edhe vrasjen e qëllimshme të një pacienti italian, vetëm 27 vjeç. Theksojmë se pacienti i cili vuante nga tumori në tru, iu nënshtrua në 2013-ën kurës me sodë në Tiranë, por ndërroi jetë, 2 ditë më vonë, shkruan JOQ.al.

Gjykata e Romës ka dënuar me dy vjet heqje lirie dhe Roberto Gandini, me profesionin kardiolog, i cilësuar si bashkëpunëtor i Tullio Simoncinit. “Mjeku monstër” ishte i përjashtuar nga Urdhri i mjekëve italianë më vitin 2006, por vazhdonte ta ushtronte profesionin e tij në një klinikë të hapur në Tiranë.