Kurti: Arkivi i gazetës Rilindja është historia jonë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të shënimit të 36-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, priti në një takim një grup të ish-gazetarëve të gazetës Rilindja.
Duke folur për rëndësinë e raportimit dhe mbulimit të ngjarjeve historike, kryeministri vuri në pah rolin e gazetës Rilindja në këtë drejtim, në rrethana jashtëzakonisht të vështira, që u rënduan deri në mbylljen e dhunshme të saj më 7 dhe 8 gusht 1990 nga regjimi serb.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se arkivi i Rilindjes është historia jonë, sepse shërben si pikë reference dhe konsultimi për të gjithë studiuesit që bëjnë hulumtime për Kosovën në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, thuhet në komunikatë.
Derisa kryeministri i falënderoi për kontributin e tyre, ata u shprehën mirënjohës për ftesën, duke thënë se është ndër pritjet e rralla që u bëhen në institucionet më të larta shtetërore.
Pjesë e delegacionit ishin gazetarët: Binak Kelmendi, Ibrahim Kadriu, Evliana Berani, Dush Gashi, Mehmet Gjata dhe Emine Berisha.

