18:35 / E Martë, 22 Tetor 2019

Kurti diskuton me Albert Kinollin për zbatimin e politikave që zbusin pabarazinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvëndosje dhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës , Albin Kurti, së bashku me anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes Xhelal Sveçla, është takuar të martën më deputetin nga komuniteti rom, kryetarin e PREBK, Albert Kinolli.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se në takim kanë biseduar për zbatimin e politikave sociale që zbusin pabarazinë në Kosovë, shkruan Indeksonline.

Ky është njoftimin i plotë:

Kryetari Albin Kurti, së bashku me anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes z. Xhelal Sveçla, takoi sot kandidatin për deputet nga komuniteti rom, kryetarin e PREBK, z. Albert Kinolli.

Në takimin miqësor me z. Kinollin, që përfaqëson komunitetin rom në Kosovë, biseduam për mbarëvajtjen dhe rezultatin e procesit zgjedhor që pritet të çertifikohet këto ditë, për qeverinë e re dhe për mundësitë e bashkëpunimit drejt një shtetndërtimi demokratik që siguron mirëqenie e progres për gjithë qytetarët e Republikës.

Kryetari Kurti e njoftoi z. Kinollin me prioritetet e qeverisë së re, ku, krahas zhvillimit ekonomik për punësim dhe sundimit të ligjit e luftimit të korrupsionit të lartë, të rëndësishëm e sheh si zbatimin e politikave sociale që zbusin pabarazinë ashtu edhe krijimin e një kohezioni shoqërorë që zhvillon dhe integron, gjithnjë duke theksuar të përbashkëtat para dallimeve, edhe pakicat kombëtare që jetojnë në Kosovë.

Në fund të këtij takimi, me z. Kinolli shprehëm dëshirën ta vazhdojmë komunikimin dhe bashkëpunimin e mëtejmë.