11:33 / E Diele, 13 Tetor 2019 / indeksADMonline

Kurti flet pas takimit me Rashiq, tregon se a biseduan për koalicion

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë ditës së sotshme është takuar me politikanin nga komuniteti serb, Nenad Rashiq.

Pas takimit, Kurti për media tha se ai u takua me Rashiqin për të kuptuar se si ka shkuar procesi zgjedhor në vendbanimet me komunitetin serb, shkruan Indeksonline.

Kurti tha se Rashiq është i zhgënjyer me shkeljet e shumta dhe parregullsitë që janë bërë me 6 tetor në vendbanimet me shumicë serbe.

“Është për të ardhur keq që nuk ka pasur zgjedhje të lira demokratike në komunitetin serb , gjithashtu Zotëri Rashiq nuk e ka asnjë aferë apo skandal të vetëm si ministër. Më duhet të them se njëri nga ministrat më të mirë të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë është pikërisht Nenad Rashiq. Bisedova me të për procesin zgjedhor se si ka shkuar në vendbanimet me shumicë serbe dhe ky është shumë i zhgënjyer me parregullsitë dhe shkeljet e shumta.”

“Pra nuk ishte ndonjë takim për koalicionin e ardhshëm qeverisës, meqenëse ne do të merremi më shumë tash me bisedimet me LDK-në. Por isha i interesuar që të marr vesh prej personit në teren që ka garuar vet mbi mbarëvajtjen e procesit që qartazi ka munguar. “, u shprehë ai.

I pyetur se a do të përfshihet Rashiq në koalicionin qeverisës, Kurti tha se ky është një hap i mëvonshëm.

“Ky është një hap i mëvonshëm pasi që ne t’i përmbyllim bisedimet me LDK-në. Unë isha i interesuar që të marr vesh prej tij për procesin se si ka shkuar në vendbanimet me shumicë serbe. “

“Aq më tepër që vëzhguesit ndërkombëtar na treguan shumë qartë se ka pasur shkelje të ligjit, trysni mbi serbët dhe në këtë mënyrë është lënduar procesi .”

“Pra parregullsitë që kanë ekzistuar në vendbanimet serbe me shumicë serbe në qershorin e vitit 2017-të, praktikisht janë përsëritur në tetori e vitit 2019. “

“E kemi obligim kushtetues dhe vullnet politik që komunitetet t’i integrojmë.”, tha Kurti.

Në fund shtoi se ai nuk është i interesuar që të flas për ministri në emra të përveçëm ./Indeksonline/