12:21 / E Martë, 02 Mars 2021 / OSH

Kurti i tregoi Lajçakut tri parimet e tij bazë për dialogun

Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë detaje lidhur me takimin e djeshëm midis Kurtit e Lajçak.

Në takimin që u zhvillua mbrëmë, Kurti ka treguar para emisarit të BE-së tri parimet e tij që janë bazë për dialogun.

“Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE dhe kryeministri në ardhje, Albin Kurti, priti mbrëmë në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e tjera të Ballkanit Perëndimor, z. Miroslav Lajçak në kuadër të vizitës disa ditore të këtij të fundit në Republikën e Kosovës.
Kryetari Kurti pranoi urimet e z. Lajçak për rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit, teksa e falenderoi atë për vizitën në Kosovë. Në fillim të takimit ata folën për zgjedhjet e fundit, mbarëvajtjen e tyre dhe çka nënkuptojnë ato për vendin dhe qytetarët, si edhe për domodoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Kryeministri në ardhje Kurti e njoftoi z. Lajçak për prioritet e Qeverisë së tij e të cilat burojnë nga nevojat sa evidente aq edhe të shprehura hapur nga qytetarët e Kosovës.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, z. Kurti tha se ai është një proces i rëndësishëm që nuk do të neglizhohet. Porse duke qenë i tillë ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me një qasje të re.

Duhet të jetë transformues duke qenë i bazuar në parime e vlera, për dallim nga ai transaksional i bazuar në interesa momentale. Së dyti, të ketë karakter transatlantik në kuptim të bashkërendimit midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të integrimeve perëndimore për të dyja palët. Së treti, të jetë demokratik e transparent, në shërbim të popujve e qytetarëve dhe jo të qeverive aktuale apo politikanëve të veçantë.
Në fund, të dytë u dakorduan të mbeten në kontakt të rregullt dhe të vazhdojnë bashkëpunimin pas formimit të Qeverisë së re”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje./Indeksonline/