14:08 / E Hënë, 25 Maj 2020 / indeksADMonline

Kurti insiston që zgjedhjet të mbahen në qershor

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se ngërçi institucional shfaqet vetëm kur përjashtohen zgjedhjet.

Sot kur u bën dy muaj nga mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, i njëjti tha se prapë se prapë po ia dalin.

Madje sipas tij nuk ka ngërç institucional, por vetëm mospajtime për të cilat ka zgjidhje, transmeton Indeksonline.

Kurti ka ripërsëritur idenë e zgjedhjeve të reja, duke thënë se ato tashmë po mbahen anembanë Evropës.

Postimi i plotë:

Ngërçi institucional shfaqet vetëm kur përjashton zgjedhjet

Sot u bënë dy muaj nga mocioni i mosbesimit. Më 25 mars krizës shëndetësore iu pat shtuar edhe ajo politike. Mirëpo, ne po ia dalim. Dje ishte dita e parë, që nga 13 marsi, pa të infektuar me virusin Corona.

Ngërç institucional? Nuk është e vërtetë. Mospajtime ka, por edhe zgjidhje ka. Në përputhje me Kushtetutën tonë nevojiten zgjedhje të reja. Ato tashmë po mbahen anembanë Evropës. Pas shëndetit të popullsisë dhe ekonomisë, është në pyetje edhe shëndeti i demokracisë. Zgjedhje do të ketë në qershor në Islandë, Francë dhe Serbi, kurse në korrik në Maqedoninë e Veriut, Spanjë dhe Kroaci. Duhet të kemi zgjedhje edhe në Kosovë e aso lokale në Podujevë. Madje, mundet edhe njëkohësisht.