19:03 / E Martë, 04 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Kurti: Institucionet iu kanë borxh familjarëve të cilët kanë paguar çmimin e lirisë edhe pas çlirimit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e masakrës së 3-4 shkurtit të vitit 2000, e cila u mbajt në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, në Komunën e Mitrovicës.

Para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues institucionalë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, kryeministri Kurti tha se edhe si shtet i Kosovës por edhe institucionet e Republikës, iu kanë shumë borxh këtyre familjarëve të cilët kanë paguar çmimin e lirisë edhe pas çlirimit dhe njëkohësisht janë dëshmi e gjallë se plagët tona mbeten të hapura.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari kryetar i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri,

I nderuari nënkryetar i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka,

I nderuari veprimtar i kamotshëm e i palodhshëm, baca Halit Berani,

Të nderuar drejtorë dhe asamblistë, këtu në komunën e Mitrovicës,

I nderuari drejtor i Televizionit të Mitrovicës, z. Nexhmedin Spahiu,

Të nderuara zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,

Të nderuar të pranishëm,

Të dashur qytetarë të Mitrovicës,

Në Mitrovicë edhe pas përfundimit të luftës nuk ka mbaruar lufta, sepse nuk janë ndalur luftimet e sulmet e ndryshme. Mëngjesi i 4 shkurtit para 20 vjetëve i gjeti banorët e Mitrovicës në një gjendje lufte, ku morën vesh se janë ekzekutuar 10 qytetarë të pambrojtur e të pafajshëm dhe gjatë atij muaji mbi 1 mijë e 500 familje me afër 12 mijë banorë gjithsej u dëbuan nga pjesa veriore e qytetit.

Ne, si shtet i Kosovës, institucione të Republikës, iu kemi shumë borxh këtyre familjarëve të cilët kanë paguar çmimin e lirisë edhe pas çlirimit dhe njëkohësisht janë dëshmi e gjallë se plagët tona mbeten të hapura.

Ne duhet të qëndrojmë e do të qëndrojmë pranë këtyre familjarëve, të cilët sot kanë dhembje e pikëllim sepse i kujtojnë me shumë mall më të dashurit e tyre.

Le t’i përkujtojmë pra sot, Bashkim Rrukecin, Muharrem Sokolin, Nezir Vocën, Shqipe Vocën, Selime Berishën, Remzije Canhasin, Nderim Ajetin, Sebaha Abrashin, Nexhmije Gjakën dhe Niman Sejdiun. Këta janë dhjetë qytetarë, vëllezër e motra tanë, të cilët mëngjesi i 4 shkurtit të vitit 2000, i gjeti të vrarë, të ekzekutuar, e të therur nga formacionet që aso kohe njiheshin si rojet e urës, si paramilitarë, të cilët kishin ngelur aty nga koha e regjimit të Millosheviqit.

Mirëpo, ne nuk jemi njerëz të hakmarrjes. As ky tubim përkujtimor, dhe as në mendjet e zemrat tona nuk ka dëshirë për hakmarrje, mirëpo, ka dëshirë për drejtësi, ka nevojë për drejtësi, ka kërkesë për drejtësi, dhe këtë nuk do të ndalemi asnjëherë së kërkuari dhe këtë duhet ta realizojmë me një sistem të drejtësisë, i cili nuk lejon që krimet të vjetrohen dhe drejtësia të vonohet.

Si kryeministër i Republikës së Kosovës, jam shumë i vetëdijshëm që Mitrovica është vendi i rëndësishëm i kulturës, i historisë por edhe i pasurisë sonë. Është vendi i Trepçës, por edhe i plagëve tona, i plagëve tona që vazhdojnë të kullojnë. Që kjo të rregullohet, që kjo të ndryshohet është e domosdoshme që t’ju qëndrojmë pranë familjarëve dhe drejtësia të veprojë kundër të gjithë atyre, të cilët këta qytetarë tanë të pambrojtur e të pafajshëm i vranë, pa mëshirë në atë natë tragjike e fatkeqe.

I lehtë ju qoftë dheu i Kosovës. Pushofshin në paqe. Mirëpo, që ajo të jetë për të gjithë neve është e domosdoshme që drejtësia të vijë në vend. Pra, një drejtësi pa hakmarrje, një drejtësi institucionale, jo për inat të dikujt tjetër, por, për hir të këtyre familjeve që janë këtu sot në mesin tonë, e i kanë humbur më të dashurit e tyre, për hir të shtetit të Kosovës, për hir të drejtësisë e të Republikës sonë.

Faleminderit!