KQZ-ja drejt përmbylljes së numërimit, kanë mbetur vetëm dy kuti të paprocesuara në Podujevë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është drejt përmbylljes së numërimit të votave nga vendvotimet e rregullta, pasi deri tani janë procesuar 2,496 nga 2,498 vendvotime, ose 99.92 për qind e tyre në nivel vendi.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, kanë mbetur pa u procesuar vetëm dy vendvotime në Shkollën “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, ku deri tani janë numëruar 101 nga 103 vendvotime apo 98.06 për qind.
Rezultatet aktuale, pa përfshirë votat e diasporës, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, janë:
Lëvizja Vetëvendosje – 298,791 vota (42.91%)
PDK – 147,099 vota (21.12%)
LDK – 122,338 vota (17.57%)
AAK – 49,890 vota (7.16%)
Lista Serbe – 43,071 vota (6.19%)
Në Podujevë, ku kanë mbetur dy kutitë e fundit për t’u procesuar, Vetëvendosje prin bindshëm me 15,862 vota (52.51%), e ndjekur nga LDK me 8,153 vota (26.99%) dhe PDK me 4,849 vota (16.05%).
Megjithatë, këto rezultate nuk konsiderohen përfundimtare, pasi në ditët në vijim KQZ-ja do të vazhdojë me numërimin e votave nga diaspora, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, të cilat mund të ndikojnë në rezultatin final të subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë.

