09:44 / E Martë, 21 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Kurti: PDK e LDK pësuan traumë e s`u kthjellën që nga 11 qershori

Albin Kurti, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se zgjedhjet lokale kanë bërë që Vetëvendosje të dalë si organizatë më e fuqishme.

Sipas tij, janë PDK e LDK ajo që ka humbur shumë në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit. Kurti këto zgjedhje i ka quajtur “traumë” për dy partitë më të vjetra politike.

“Më 11 qershor ka ndodhur një lloj tërmeti politik në Kosovë që ka shkaktuar traumë te LDK e PDK, e nuk janë këndellur më dhe gjithnjë më shumë kanë bashkëpunuar. Janë bërë bashkë për të luftuar Vetëvendosjen.Nga këto zgjedhje lokale po dalim me një organizatë më të fuqishme”, ka thënë Kurti për radio Urban FM, shkruan Indeksonline.

Kurti e ka quajtur 2017-ën “viti i Vetëvendosjes” duke iu referuar fitores në dy qytetet më të mëdha, Prishtinën e Prizrenin.

“është e vërtetë që unë kam qëndruar në tjera komuna për shkak të zgjedhjeve të fundit. është evidente se do të kthehem tani në Prishtinë. Duhet të ulemi brenda dhe t’i bëjmë analizat e arritjes në këto zgjedhje, por mendoj se me këto dy fitore (Prizren dhe Prishtinë), viti 2017 është i Vetëvendosjes”, është shprehur ai.

Kurti ka komentuar rezultatin e përgjithshëm të Vetëvendosjes në zgjedhjet e balotazhit. Ai ka thënë se ka qenë i kënaqur me shkuarjen në balotazh në disa komuna, kurse më e dhimbshmja ka qenë mos arritja deri në balotazh në shumë komuna tjera.

“Kjo që s`kemi mundur të hymë në balotazh mua më ka dhimtë më shumë”, ka thënë ai, shkruan Indeksonline.

Ish-lideri i Vetëvendosjes ka thënë se numri i asambleistëve të Vetëvendosjes nëpër komuna ka shënuar rritje në këto zgjedhje./Indeksonline/