20:29 / E Martë, 21 Maj 2019 / indeksADMonline

Kurti: Kriminelët e masakrës së Dubravës janë të lirë, dëshmitarët janë të gjallë

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka përkujtuar 20 vjetorin e masakrës në Burgun e Dubravës, duke thënë se edhe kaq vite pas, askush nuk është akuzuar apo dënuar për krime.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se kriminelët janë të lirë, kurse dëshmitarët janë të gjallë, transmeton Indeksonline.

Më poshtë postimi i Kurtit:

20 vjet u bënë nga masakra në Burgun e Dubravës, por ende nuk ka as të akuzuar e as të dënuar. Me 19 dhe 21 maj 1999, bombat e NATO-s lanë të vrarë 23 të burgosur shqiptarë, kurse më 22 dhe 23 maj 1999, gardianë e policë, ushtarë e paramilitarë, e madje edhe të burgosur serbë, vranë mbi 120 të burgosur shqiptarë të identifikuar, gjersa plagosën mbi 300 të tjerë.

Në oborrin e burgut dhe brenda ndërtesës, në prag të shekullit XXI, pushkatoheshin dhe ekzekutoheshin pa gjyq shqiptarët e burgosur. Krim mizor, i pashembëllt sepse i paimagjinueshëm.

Ata që shpëtuan, më 24 maj i transferuan në burgun e Lipjanit (ku ndodhesha në pavilonin 4), e shumë prej tyre i takova në burgun e Pozharevcit ku na transferuan më 10 qershor 1999. Atë natë, në pavilonin 6, vdiq një i plagosur nga Dubrava, meqë nuk e kursyen nga rrahjet dhe torturat. Nuk e di si e kishte emrin. Por e di që Aca, Miki e Branko të cilët drejtonin burgun e Dubravës gjatë masakrës, u bënë drejtues të paviloneve 4 dhe 6 në burgun e Pozharevcit në vitet 1999 dhe 2000.

Kriminelët janë të lirë, dëshmitarët janë të gjallë. Në vend se të humbet kohë me ide për Tribunale të largëta Ndërkombëtare, duhet votuar urgjentisht në lexim të dytë në Kuvend plotësimi dhe ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale që mundëson gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. /Indeksonline/