20:26 / E Diele, 26 Korrik 2020 / indeksADMonline

Kurti kujton Enver Zymberin: Drejtësinë ia kemi borxh Kosovës dhe policëve të saj

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka përkujtuar policin e rënë në krye të detyrës, 9 vite më parë, Enver Zymberi.

Kurti tha se Zymberi është i paharrueshëm dhe se është shembulli më domethënës i policëve, të cilët janë të gatshëm të japin gjithçka, edhe jetën, për sigurinë e Kosovës e të qytetarëve të saj, transmeton Indeksonline.

Kurti tha se gjatë këtyre 9 viteve, përpjekjet për drejtësi kanë qenë të pamjaftueshme, për të mos thënë se kanë munguar tërësisht.

Ai theksoi se Kosova ka nevojë për një qeveri që punon për ta shtrirë rendin e drejtësinë në gjithë vendin, e që atë drejtësi tha ai “ia kemi borxh Kosovës”.

Postimi i plotë:

Para 9 vitesh humbi jetën në krye të detyrës pjesëtari i forcave speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.

Enver Zymberi, i paharrueshëm për ne, është shembulli më domethënës i policëve tanë. Ata janë të gatshëm të japin gjithçka, edhe jetën, për sigurinë e Kosovës e të qytetarëve të saj.

Me ndjenjën e lartë të detyrës e të patriotizmit, heroi Enver Zymberi bashkë me shumë policë të tjerë morën pjesë në një aksion që synonte vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Republikës së Kosovës. Aty ai u vra në rrethana ende të pasqaruara nga organizatat kriminale që mbajnë peng qytetarët në atë pjesë të vendit tonë.

Por ai aksion u ndërpre me urdhër të kryeministrit të atëhershëm (tani president në fund të mandatit të tij). Rendi e ligji nuk u vendosën atje, përkundrazi, me pas pushtetarët asokohe vendosën të negociojnë dhe të integrojnë në institucione pikërisht strukturat përgjegjëse për vrasjen e Enver Zymberit.

Gjatë këtyre 9 viteve përpjekjet për drejtësi kanë qenë të pamjaftueshme, për të mos thënë që kanë munguar tërësisht. Por Kosova ka nevojë për një qeveri që punon për ta shtrirë rendin e drejtësinë në gjithë vendin, që sjell drejtësi edhe për Enver Zymberin. Atë drejtësi ia kemi borxh Kosovës, Republikës sonë dhe policëve të saj.