14:08 / E Enjte, 06 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Kurti: Mos investimi kapital në Trepçë, rrit apetitin e Serbisë për veriun e Kosovës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se duke folur për buxhetin e vitit 2019, ka thënë se edhe sivjet nuk ka investimet kapitale në Trepçë dhe kjo sigurisht që i rritë apetitet e Serbisë për veriun e Kosovës dhe Mitrovicën e ndanë në dysh.

Ai tha se në Kosovë janë ndërruar qeveritë, janë shtuar qeveritarët, janë rritur shpenzimet por nuk ka ndryshuar orientimi qeveritar.

“Buxheti i vitit 2019 është buxhet i shpenzimit qeveritar dhe jo i zhvillimit socio-ekonomik. Është buxhet i shtimit të borxhit publik joproduktiv dhe i deficitit buxhetor e që do ta gërryej edhe fondin e privatizimit. Numrat e buxhetit janë problematik sepse korniza makro ekonomike dhe makro fiskale është e gabueshme“, ka thënë ai.

Sipas tij, zyra e kryeministrit ka më shumë buxhet se sa shërbimi korrektues ose mbi dyfishin e AKI-së, edhe pse themi që jemi shtet i rrezikuar.

“Investimet kapitale në Trepçë edhe sivjet nuk ka dhe kjo sigurisht që i rrit apetitet e Serbisë për veriun e Kosovës dhe Mitrovicën e ndanë në dysh. Në qeverisje dashuria e përkushtimi maten me buxhet e pikërisht këto mungojnë te qeveria aktuale. Kemi kryeministër i cili në dialogun me Serbinë nuk merret, ia ka lënë këtë presidentit, me buxhetin nuk merret, ia ka lënë ministrit të financave. Thotë se po merret me ushtrinë që do ta bëjë por nuk do të ketë buxhet shtesë as për FSK-në, atëherë shtohet pyetja me çka merret ky kryeministër. Kuvendi ka diçka mbi 11 milionë euro buxhet, kurse zyra e kryeministrit gati 18 milionë e gjysmë. Qe me çka merret ky. Ne jemi republikë parlamentare e jo republikë kryeministriore, Zyra e kryeministrit i ka 615 të punësuar. Vetëm kabineti i kryeministrit i ka 75 të punësuar, ndërkaq në MKRS, për zhvillimin dhe përkrahjen e rinisë, e cila është mbi një e treta e popullsisë, janë vetëm 5 të punësuar”, tha ai.

Ai shtoi se këto janë disa nga argumentet që nuk do ta mbështesin buxhetin e vitit 2019.