10:54 / E Shtunë, 23 Mars 2019 / indeksADMonline

Kurti në 30-vjetorin e suprimimit të autonomisë së Kosovës godet Thaçin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar me rastin e 30-vjetorit të suprimimit të autonomisë në Kosovë. Ai ka thënë se tri dekada pas kësaj ngjarje, Serbia ende nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, përcjellë Indeksonline.

Sipas Kurtit, kjo ndodh pasi, presidenti në Serbi është nga e njëjta rrymë politike të cilës autonomia për Kosovën i është dukur e tepërt dhe se presidenti në Kosovë i përket rrymës politikë që jep territor për pushtet.

“1989: asgjë nuk humbet Kosova me ndryshimet kushtetuese, bile, veçse përfiton. 2019: asgjë nuk humbet Kosova me korrigjimin e kufijve, madje, vetëm përfiton. Sot janë mbushur tri dekada nga suprimimi i autonomisë së Kosovës. 23 marsi 1989 ishte shtetrrethim: gjendje e jashtëzakonshme, orë policore, mbi njëqind tanke e 15 mijë forca të armatosura jugosllave. Për pasojë, në pranverën e atij viti, dhjetëra shqiptarë u vranë në demonstrata e qindra të tjerë u arrestuan. Që nga ajo kohë edhe medie ndërkombëtare filluan ta konsiderojnë Kosovën të pushtuar e të okupuar”.

Kreu i VV-së thotë se “ kur pushteti dhe qeveria janë më të rëndësishme se territori dhe shtetësia, atëherë edhe partia bëhet më e rëndësishme se popullsia”

“30 vjet më vonë, Serbia nuk na e njeh pavarësinë. Sepse, presidenti atje është nga po ajo rrymë politike serbe së cilës edhe autonomia për Kosovën i dukej e tepërt. Dhe, sepse presidenti këtu te ne është nga ajo rrymë politike shqiptare që jep territor shteti për pushtet për veti. E, kur pushteti dhe qeveria janë më të rëndësishme se territori dhe shtetësia, atëherë edhe partia bëhet më e rëndësishme se popullsia. 1989: punësimi, me librezë partie. 2019: punësimi, me librezë partie dhe afri farefisnie”, ka shkruar Kurti ndër të tjera në Facebook. /Indeksonline/