21:12 / E Enjte, 02 Shkurt 2023 / MSH

Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit: Mos të harrojmë kurrë, por edhe kurrë më

Me ftesë të Ambasadës së Izraelit në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

I nderuar me ftesën, kryeministri Kurti tha se jemi mbledhur këtu, në shenjë të një miqësie të re ndërmjet dy vendeve tona dy vite pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, të kujtojmë së bashku Holokaustin – një prej episodeve më të errët të historisë së njerëzimit.

“Teksa mblidhemi këtu sot për të përkujtuar viktimat e Holokaustit, le të kujtojmë të kaluarën, me një sy nga e ardhmja. Mënyra më mirë për të nderuar kujtimin e tyre nuk është vetëm përmes fjalëve, por edhe përmes veprave tona. Me pak fjalë, mos të harrojmë kurrë, por edhe kurrë më”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve.