15:40 / E Martë, 25 Janar 2022 / LB

Kurti në takimin e Komisionit për Planifikim Strategjik: Synojmë të kemi zhvillim të qëndrueshëm

Përgatitjet për përfitimin e fondeve të Bashkimit Evropian dhe procesi i hartimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030, janë dy çështjet e diskutuara sot në takimin e shtatë të Komisionit për Planifikim Strategjik.

Në një komunikatë për nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se kreu i ekzekutivit Albin Kurti ka thënë se nuk mjafton të ketë rritje ekonomike pa rritje progresive të standardit jetësor.

“Synimi ynë është të kemi zhvillim të qëndrueshëm, sepse nuk mjafton të kemi vetëm rritje ekonomike pa një rritje progresive të standardit jetësor, pra të cilësisë së jetesës. Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030, që do të prezantohet në këtë takim, është menduar pikërisht për këtë qëllim”, ka thënë Kurti.

Në aspektin e politikave zhvillimore, Strategjia do të ofrojë një qasje gjithëpërfshirëse për zhvillimin kombëtar, ku përfshihen të gjithë sektorët zhvillimorë, si dhe do të jetë dokumenti kryesor orientues afatgjatë për qeverisjen tonë.

Kryeministri theksoi se është e domosdoshme të ketë dakordim mbi pamjen e përgjithshme të synimeve për dhjetë vitet e ardhshme.

“Në dritën e zhvillimeve të fundit, ku mungesa e veprimeve strategjike në sektorin e energjisë na ka sjellë sot në një situatë kritike, duhet të kuptohet se strategjitë nuk janë thjesht fjalë dhe afate, por vizion për të ardhmen”, u shpreh Kurti.

Gjatë takimit, u prezantua lista e propozimeve për projekte për programet vjetore në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit, IPA 2023 dhe 2024.

Komisioni për Planifikim Strategjik, në përbërje të të cilit janë të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar, është pajtuar që qëllimet dhe objektivat e SKZH-së të diskutohen tutje me të gjitha institucionet dhe partnerët e vendit. Ndërsa ministrive dhe Ministrave u është kërkuar të vazhdojnë të punojnë individualisht me Zyrën e Planifikimit Strategjik në ZKM, për finalizimin e qëllimeve strategjike dhe objektivat specifike në SKZH, si dhe caqeve për to.

Strategjia Kombëtare e Zhvillimit 2030 si dokumenti kryesor strategjik i vendit, do të përmbajë katër shtyllat e saj të zhvillimit, përkatësisht zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, zhvillimin e barabartë njerëzor, sigurinë dhe sundimin e ligjit si dhe qeverisjen e mirë.