19:38 / E Premte, 29 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Kurti pas lirimit nuk pritet nga Ymeri, Molliqaj e Durguti në zyrat e VV-së (Foto)

Kandidati për kryetar i Vetëvendosjes Albin Kurti pas lirimit të tij nga masa e paraburgimit, ka shkuar në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje ku është pritur nga shumë aktivistë e anëtar të kryesisë së partisë së tij.

Por ajo që bie në sy më së shumti në këtë takim është mos prezenca e Visar Ymerit, Dardan Molliqajt, Aida Durgutit e disa nga krahu tashmë i dytë pas “shpërthimit” të pakënaqësive brenda këtij  subjekti politik.

Edhe për kundër deklaratave se skandali i mesazheve të publikuara i takon së kaluarës, këto pamje tregojnë për atmosferën e unitetit që mbretëron brenda kryesisë së Vetëvendosjes.

Kurti pas lirimit nga paraburgimi, tha se nuk beson se Vetëvendosje do të ndahet, pavarësisht kushteve që disa zyrtarë të VV-së i kanë vënë për të mos kandiduar për kryetar të VV-së, shkruan Indeksonline.

“Unë jam i bindur se demokracia e brendshme në VV, në organet e saj është mëse e mjaftueshme që ne me durim të zhvillojmë diskutimet për të gjitha temat dhe asisoj ta shtjellojmë mospajtimin e brendshme dhe ta tejkalojmë atë edhe për të mirën e VV-së, edhe për të mirën e vendit…Jo, unë besoj që VV, është lëvizja dhe subjekti më demokratik në Kosovë, në të cilin ne besojmë jo vetëm për shkak të programit dhe frymës por për shkak të demokracisë së brendshme në organet e saj. Pra, dialog, diskutim, demokraci do të jetë mëse e mjaftueshme për të zgjidhur të gjitha mospajtimet”, tha Kurti.

Kurti flet edhe për kushtin e vënë nga Dardan Molliqaj dhe të tjerët që ai të mos kandidojë për kryetar të VV-së, për të cilin thotë se nuk është kusht, meqë statuti i VV-së, e përcakton qartë.

Ndërsa, rreth parullave të shkruara në muret e objektit të VV-së, “S’ka babë, ka ide”, Kurti thotë se në Vetëvendosje nuk ka pasur kurrë babë./Indeksonline/