22:46 / E Enjte, 22 Korrik 2021 / AR

Kurti: Për 4 muaj ndryshoi për së miri gjithçka në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot pati një takim me diasporën në “Parkun e Qytetit” në Prishtinë, teksa foli për të arriturat dhe sfidat e qeverisë së tij.

Para tyre, Kurti tha se për katër muaj ndryshoi për së miri gjithçka në Kosovë, shkruan Indeksonline.

Gjatë këtyre katër muajve kemi dëshmuar që vërtetë është e mundshme ndryshe dhe shumë më mirë në Kosovë në çdo aspekt. Përderisa në fushën e luftimit të korrupsionit dhe të krimit të gjithë pak a shumë e kemi përshtypjen, unë jam i lumtur që edhe në aspektin ekonomik Kosova ka përparime. Përshembull doganat e Kosovës në pesë muajt e këtij viti për herë të parë e kanë kaluar nivelin prej 500 milionë eurove të hyra dhe kjo është 28% më shumë sesa vitin e kaluar.

Administrata Tatimore e Kosovës 34% më shumë sesa në pesë mujorin e vitit të kaluar. Eksportet janë rritur për 66%, aktiviteti ekonomik apo qarkullimi në ekonomi për 15% dhe presim që buxheti i Kosovës që është 2 miliardë e gjysmë të na mundësoj me qeverisjen tonë të mirë që ta përmbyllim vitin me së paku 7.9% të bruto produktit vendor si rritje ekonomike për Kosovën. Kemi filluar edhe me bono të thesarit dhe çka mora vesh sot është se tashmë i kemi bono të diasporës të veçanta, oferta në vlerë të gjithëmbarshme prej rreth 1 milion euro që nuk është keq për ditën e parë“, tha Kurti.

Tutje, kryeministri Kurti tha se kabineti i ministrave të tij do të punojnë ditë e natë për hir të qytetarëve për të përmirësuar situatën.

Në javët që vijnë do të përballemi me pandeminë Covid-19, kësaj radhe me mjete të shtuara për shkak të vaksinave që kemi siguruar por gjithashtu duke respektuar distancën fizike në mënyrë që çfarëdo varianti i ri i virusit të mos rrezikojë shëndetin publik. Por edhe krizat tjera, siç janë ato ekonomike, sociale që kanë qenë edhe para pandemisë dhe vazhdojnë edhe kësaj ditë do ta kenë një kabinet të ministrave që do të punojnë ditë e natë dhe sigurisht që do të ngadhënjejë për hir të qytetarëve“, shtoi ai.

Në fund, Kurti falënderoi diasporën për pjesëmarrjen në zgjedhjet e fundit.

Në veçanti iu falenderoj për pjesëmarrjen demokratike që keni bërë çdoherë në zgjedhjet në Kosovë dhe keni ndikuar për ndryshimet që janë realizuar“./Indeksonline/