13:50 / E Enjte, 01 Qershor 2023 / MSH

Kurti për zhvillimet në veri: Këto banda të shkojnë në Serbi ose në burg

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për media lidhur me zhvillimet në veri të vendit.

Sipas tij, sot ndodhemi në situatë të vështirë pasi ata që po “shtiren” si protestues, në fakt janë banda të armatosura.

Kurti ka komentuar edhe ushtrimin e punës së kryetarëve në objektet komunale.

“Unë besoj që kryetarët e zgjedhur, ndonëse dalja në zgjedhje ka qenë e ulët, janë kryetarë legalë, të cilët kanë legjitimitet, ndonëse jo të plotë dhe normal, për shkak të trysnisë së Serbisë që serbët t’i bojkotojnë zgjedhjet” ka deklaruar Kurti.

Ai thotë se Serbia po kërcënon e shantazhin serbët, teksa beson se kryetari duhet ta ushtrojë punën në komunë, objekt i cili i përket Republikës së Kosovës.

“Unë jam i bindur që kemi bërë krejt çka është e mundur. Së pari i kemi shtyer zgjedhjet për katër muaj. Së dyti, i kemi mbajtur zgjedhjet dhe ato janë konsideruar legjitime dhe të drejta edhe nga faktorët ndërkombëtarë. Së treti, që të gjithë e kanë pranuar rezultatin e këtij procesi zgjedhor. Dhe së katërti, ne kemi pranuar që të mos ketë kurrfarë triumfalizmi, kurrfarë feste për fitoret në ato zgjedhje dhe madje, edhe ceremonia e betimit të zhvillohet në ndërtesa publike. Epo tash të fillojë puna” ka shtuar Kurti.

Ai thotë se nuk mund të krijojë struktura paralele jashtë objekteve komunale, sepse struktura paralele krijon Serbia.

Kurti i ka quajtur banda kriminale ata që po shkaktojnë trazira, duke thënë se këto banda se duhet të shkojnë në Serbi, ose në burg në Kosovë.