Kurti: Radojçiq dhe paramilitarët e tij duhet t’i dorëzohen Kosovës, u dëshmua se kemi pasur të drejtë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti kërkesën për dorëzimin e Milan Radojçiqit dhe 42 paramilitarëve të tjerë të përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë, duke thënë se tashmë është e qartë se ata janë pjesë e një grupi të organizuar terrorist të dirigjuar nga Serbia.
Kurti kujtoi se para dy vjetësh, në qershor të vitit 2023, qeveria e tij kishte marrë vendim për ta shpallur të ashtuquajturën “Mbrojtje civile” dhe “Brigadat veriore” si organizata terroriste, vendim ky që sipas tij ishte i goditur, me gjithë kritikat e ashpra të kohës.
“Saktësisht para dy vjetësh, në fund të qershorit të vitit 2023, në mbledhje të qeverisë të ashtuquajturën “Mbrojtje civile” dhe “Brigadë veriore” i kemi shpallur organizata terroriste. Kritikat ndaj nesh, kundërshtimet e shumta ndaj neve pse i kemi shpallur organizata terroriste kanë qenë të shumta. Mirëpo, për pak muaj u pa që kemi pasur të drejtë. Në Banjskë të Zveçanit e në fund të shtatorit e vranë rreshterin e Kosovës Afrim Bunjaku. Ne kërkojmë dorëzimin e kryekriminelit e kryeterroristit Milan Radojçiq me 42 paramilitarë të tjerë që morën pjesë në sulmin terrorist e kriminal të shtatorit 2023”, tha Kurti.
Ai tha më tej se tani këta persona janë parë edhe më afër presidentit të Serbisë, gjë që sipas tij, e konfirmon se kemi të bëjmë me një grup të organizuar dhe të dirigjuar nga Beogradi.
“Tash të njëjtit janë edhe më afër se mbrojtja e afërt e presidentit të Serbisë. Kjo tregon që kemi pasur të drejtë kur kemi thënë që ky grup kriminal e terrorist është i dirigjuar, financuar nga Beogradi dhe nuk është një grup huliganësh. Janë njerëz, të cilët janë ushtruar në Serbi, i marrin urdhrat prej andej dhe kanë bërë agresion në Kosovë. Prandaj ata duhet t’i dorëzohen Kosovës. Kjo flet që ne kemi pasur gjithçka të drejtë dhe tregon gjithçka për vetë regjimin e Beogradit,” u shpreh Kurti.