13:38 / E Martë, 18 Shtator 2018 / indeksADMonline

Kurti: Thaçi po e përdor Luginën e Preshevës si karrem për të na bindur për korrigjimin e kufijve

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po e përdor Luginën e Preshevës si karrem për t’i bindur të gjithë për korrigjimin e kufirit me Serbinë.

Sipas tij, sigurimi i uljes në OKB nuk i ka funksionuar si karrem, prandaj ai po përdorë një gjë të tillë për ta arritur këtë gjë.

Kurti thotë se nuk do lejojnë që Kosova të ndahet, por në të njëjtën kohë nuk do lejojnë që as Kosova Lindore të ndahet, transmeton Indeksonline.

“Meqenëse ulësja në OKB për Kosovën nuk funksionojë si karrem që t’i fus edhe të tjerët në të njëjtin proces, tash ka kaluar në karremin tjetër për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën. Është pikërisht ky president, që në kohën sa ishte kryeministër e kundërshtonte një ide të tillë kur ne e kërkonim, duke e miratuar një kundër rezolutë. Ky është mashtrim i madh, konsiderojmë se Kosova nuk lejojmë të ndahet dhe Kosova Lindore nuk lejojmë të ndahet. Por, në këtë rast nuk duhet shikuar vetëm teksti i rezolutës së tanishme, por duhet shikuar edhe konteksti. Tani Thaçi po tenton të bëj krejt diçka tjetër dhe ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj loje të rrezikshme. Qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit duhet të jenë vigjilentë dhe të vlerësojnë në bazë të veprave të vjetra dhe jo rrenave të reja”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se Thaçi po tenton të zëvendësojë Gjermaninë me Rusinë.

“Është që ai në njërën anë  po e relativizon shtetësinë e Kosovës. Ky president po e zëvendëson politikën e jashtme të Gjermanisë me Rusinë.  SHBA ka qenë dhe do të jetë më Kosovën, por aventura personale e presidentit aktual po e zëvendëson Gjermanin me Rusinë. Nuk kërkon më takim me zonjën Merkel, por me Putinin. Po e zëvendëson Gjermaninë me Rusinë. Është e dëmshme e rrezikshme”, ka shtuar Kurti.

Ndryshe, përmes kësaj konference, Kurti ka bërë thirrje për protesta më 29 shtator, nga ora 14:00./Indeksonline/