18:52 / E Enjte, 27 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Kurti tregon pikat e heqjes së TAKSËS dhe çfarë duhet të bëjë tani qeveria e Serbisë

Kryeministri i Republikës, Albin Kurti është zotuar se taksa ndaj mallrave serbe do të hiqet me 15 mars.

Ai ka përmendur në detaje se pse po hiqet taksa dhe çfarë duhet të bëjë tani Serbia, shkruan Indeksonline

Fjalimi i Kurtit:

Ne do ta heqim tarifën 100% nga lënda e parë që importohet prej Serbisë në Kosovë që përdoret për prodhuesit tanë.

Kjo është shenjë e vullnetit të mirë nga ana jonë. Për fillimin e zgjidhjes së mirëfilltë të problemeve tregtare që kanë vendet tona.

Për këtë gjest të qeverisë tonë, qeveria e Serbisë t’i përgjigjet me ndërprerjen e fushatës për c ‘njohjet e pavarësisë së Kosovës përmes një zotimi të qartë dhe të fillojë me eliminimin e barrierave jo tarifore për Kosovën.

Nga Ministria jonë e Ekonomisë, kamë mësuar se ka një dosje të madhe të shkeljeve të marrëveshjes së CEFTA-s për mallrat kosovare.

Unë sot kam pas në takim në mesditë me zv/kryeministrin, Hoti, dhe në vija të trasha e kam njoftuar se sot do të dal me qëndrimin sa i përket reciprocitetit me një anë dhe heqjen e tarifës për lëndën e parë që vjen nga Serbia.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në konferencën e sotme për media:

Pas takimeve me odat dhe shoqatat e ndryshme të ndërmarrësve vendorë, e sidomos me prodhuesit tanë, dhe pas leximit të analizës mbi reciprocitetin e munguar me Serbinë, punuar nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, kam ardhur te ky qëndrim sa i përket rrugës përpara lidhur me tarifën 100%:

1. Si Qeveri e Kosovës, gjatë javës së ardhshme, do të marrim vendim, që nga data 15 mars 2020, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kjo si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.

2. Ftojmë Serbinë që si përgjigje ndaj këtij vendimi të palës kosovare të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu të nis me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës. Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe BeH për një periudhë prej 90 ditësh.

3. Bashkimi Evropian ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për ta hequr tarifën prej 100%, duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020.

4. Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marëdhëniet me Kosovën, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të fillojë implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e mëpastaj edhe në atë ekonomike e politike.

5. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, teksa vazhdohet implementimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit.

6. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dalin që në fillim me instrumente të detajizuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike; mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët; dhe, po ashtu, edhe listimin e konsekuencave për palën jobashkëpunuese në proces.

7. Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet qe ai prodhon në arritjen e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar, ekonomik dhe politik instalohet pas 15 qershorit./Indeksonline/