12:26 / E Shtunë, 24 Shtator 2022 / A. M.

Kurti vizitoi Mullirin e Haxhi Zekës dhe Qendrën Informative të Turizmit në Pejë

Para takimit me kryetarët e komunave, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar sot Qendrën Informative të Turizmit dhe Kompleksin e Mullirit të Haxhi Zekës.

Në Qendrën Informative të Turizmit, Kurti bashkëbisedoi me përfaqësuesit e organizatave joqeveritare përfituese nga projektet e Bashkëpunimit Ndërkufitar Kosovë – Mali i Zi, që është program në kuadër të MAPL-së.

Po ashtu,Kurti ka takuar edhe operatorët turistik të turizmit malor dhe përfaqësuesit e Zyrës së Turizmit në Komunën e Pejës.

“Në takim u bisedua për mundësitë dhe ofertat e turizmit malor në Pejë, ndikimin në zhvillimin e ekonomisë lokale, si dhe propozimet për mbështetjen institucionale në sektorin e turizmit.Gjatë vizitës në Kompleksin e Mullirit të Haxhi Zekës, u theksua rëndësia e mbrojtjes së monumenteve  të trashëgimisë kulturore. Kryeministri takoi z.Fatos Lajçin, Drejtor Ekzekutiv i Environmental Responsible Action Group (ERA Group), që e menaxhon këtë kompleks. Krahas detajeve për funksionimin e kompleksit dhe potencialit turistik të tij, z.Lajçi e njoftoi Kryeministrin edhe për aktivitetet dhe angazhimin e ERA Group në mbrojtje të faunës dhe florës në Bjeshkët e Nemuna”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, në këtë komunikatë bëhet e ditur se nëkëto dy takime u ritheksua gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për të rritur angazhimin e përbashkët në shërbim të produkteve të reja turistike, ku siç thuhet do të përfshiheshin asetet më të rëndësishme turistike të vendit tonë.