16:32 / E Mërkurë, 21 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Kusari-Lila: Vendimi për taksën duhet të kushtëzohet me kërkesa të qarta ndaj Serbisë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe.

Kusari-Lila ka thënë se ky vendim është i qëlluar pas pasojave të fundit të sjelljes së Serbisë ndaj Kosovës, transmeton Indeksonline.

Tutje deputetja ka thënë se ky vendim nuk duhet të ketë asnjë përjashtim për produktet e prodhuesve të huaj në Serbi si dhe duhet të kushtëzohet me kërkesa të qarta ndaj shtetit serb.

Postimi i plotë:

Vendimi i Qeverisë për rritjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnjës në 100% është vendim i qëlluar pas pasojave të fundit të sjelljës së Serbisë ndaj Kosovës.

Vendimi nuk duhet të ketë ASNJË përjashtim për produkte të prodhuesve të huaj në Serbi, si dhe, duhet të kushtëzohet me kërkesa të qarta ndaj Serbisë.

Në këtë mënyrë presioni nuk është vetëm në shtetin e Kosovës për të hequr taksën, por, presioni do të jetë në Serbi nga kompanitë e saja për të plotësuar kushtin e vendosur nga ana Kosovare.

Kushti domosdoshmërisht duhet të lidhet me:

  1. Zbatimin e marrëveshjes së Energjisë
  2. Zbatimin e marrëveshjes së lëvizjes së lirë

Dhe

  1. Ndaljen e menjëhershme të luftës diplomatike të Serbisë ndaj Kosovës.