20:30 / E Hënë, 22 Mars 2021 / OSH

Kush është Artane Rizvanolli, ministre e re në Qeverinë Kurti II

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka shpalosur emrat e kabinetit të ri qeveritar. Në mesin e të emëruarve në radhët  e ministrave është edhe Artane Rizvanollin ministre të Ekonomisë në Qeverinë Kurti2.

Në mesin e 15 emrave, Rizvanolli është njëra nga ministret që nuk kanë qenë në asnjë listë për deputetë.

Ky është profili i Artane Rizvanollit:

Artane Rizvanolli është ligjëruese në Kolegjin Riinvest që nga viti 2007.

Pas përfundimit të studimeve bazike në Ekonomiks në Universitetin e Prishtinës, ajo ka vazhduar studimet Master në Ekonomiks për analizë biznesi në Universitetin Staffordshire në Mbretërinë e Bashkuar.Në vitin 2012 ka doktoruar në fushën e Ekonomiksit në Universitetin Staffordshire me hulumtimin e fokusuar në lidhjen në mes kapitalit njerëzor dhe investimeve të huaja direkte në ekonomitë evropiane në tranzicion.

Pas angazhimit gjashtëvjeçar si hulumtuese në Institutin Riinvest, ajo e ka vazhduar punën e saj si hulumtuese dhe këshilltare për analiza dhe politika ekonomike në kuadër të organizatave të ndryshme kosovare dhe ndërkombëtare në fushat si punësimi, zhvillimi i sektorit privat, efektet e diasporës në ekonomi, financat publike, etj.Pritet që ajo të votohet bashkë me pjesën tjetër të kabinetit qeveritar, që do ta përbëjnë Qeverinë Kurti 2.