12:45 / E Hënë, 01 Mars 2021 / OSH

Kush është mjeku shqiptar që tentoi ta shpëtojë Kryetarin e Zagrebit që vdiq të shtunën

Kryetari i Bashkësisë së Zagrebit, Milan Bandiq, vdiq të shtunën derisa pranë tij ishte miku i tij i ngushtë, Gzim Rexhepi, që tentoi t’ia shpëtonte jetën por pa sukses, shkruajnë mediat kroate.

Pas rastit tragjik, Rexhepi ka folur për mediat, duke thënë se atë natë ishin kthyer në Zagreb ku edhe ishin takuar me Bandiqin.

Sipas rrëfimit të mjekut shqiptar, kreu i Bashkësisë së Zagrebit ishte çuar për të marrë ujë, kur edhe u rrëzua.

Mjeku thotë se kishte filluar t’i jepte ndihmën e parë menjëherë, e po të njëjtën gjë e kishin vazhduar edhe mjekët e tjerë pasi erdhi emergjenca, por që shton se përpjekjet e tyre fatkeqësisht përfunduan pa sukses.

“Si shoku i tij, unë jam jashtëzakonisht i trishtuar dhe i pakënaqur që isha ai që duhej të kisha filluar reanimacionin”, tha Rexhepi, duke shtuar se ndonjëherë në jetë njeriu mund të zgjedhë, por ai nuk mundi.

Rexhepi ka bërë thirrje që familja të lihet e qetë pas disa spekulimeve që kanë qarkulluar në rrjete sociale.

 “Lërini njeriun, familjen dhe të dashurit e tij të vajtojnë në paqe. Na duhet pak më shumë respekt për njëri-tjetrin, pak më shumë besim në të vërtetën”, tha ai.

“Ne që jetojmë në Zagreb, do të kemi një moment çdo ditë për të kujtuar Milanin e madh”, përfundoi ai.