08:52 / E Hënë, 09 Tetor 2017 / indeksADMonline

Kush është pedagogu shqiptar që u arrestua për terrorizëm në Malajzi (Video)

Shqiptari i arrestuar në Malajzi së bëshku me 8 persona të tjerë të dyshuar për terrorizëm është Klodjan Zaimaj.

Ditën e djeshme polica ka konfirmuar se Zaimaj jeton dhe punon prej disa vitesh në Malajzi ku edhe ka mbaruar studimet e larta dhe punonte si pedagog në një universitet lokal po në Malajzi.

Klodjan Zaimaj pedagog në Malajzi, rekrutonte terroristë

Klodian Zaimaj që njihet edhe me emrin fetar Ibrahim, është pedagog në Malajzi dhe mendohet se detyra e tij ishte rekrutimi i të rinjëve, për t’ju bashkuar organizatës terroriste ISIS.

Klodjan Zaimaj shfaqet edhe në disa video në Youtube, duke predikuar dhe dyshohet se është pjesë e një grupi të rrezikshëm terrorist në Malajzi.

Burime të Report TV sqaruan se Klodjan Zaimaj është me orgjinë nga Cërriku i Elbasanit dhe vjen nga një familje e besimit musliman. Të afër të Zaimajt mendohet se janë pjesë edhe e Myftinisë së Elbasanit.

Arrestimi në Malajzi

Dyshohet se që nga viti 2012 i riu shqiptar i ishte futur botës akademike në Malajzi, ku jepte mësim për të drejtat ligjore në një universitet lokal.

Policia Shqiptare është treguar e rezervuar në lidhje me këtë ngjarje, pasi hetimet janë ende në fazën fillestare dhe nga ana e agjentëve të Antiterrorit në Shqipëri po kryhen disa verifikime për lidhjet e tij të mundshme në vendin tonë.

Arrestimi i Zaimajt u krye më datë 1 tetor dhe bashkë me shtetasin shqiptar në pranga përfunduan edhe shtatë persona të tjerë.

Që të gjithë dyshohet se kishin lidhje me struktura të ISIS dhe punonin për përhapjen e propagandës së organizatës terroriste.

Portali “Star online” në Malajzi ditën e djeshme i kishte kushtuar një shkrim të gjatë çështjes dhe duke iu referuar burimeve të policisë lokale ka dhënë detaje edhe në lidhje me pedagogun shqiptar.

Sipas tyre, tetë të arrestuarit janë me kombësi të ndryshme, por mes tyre janë edhe tre filipinas dhe një shtetas shqiptar.

Policia kishte rënë në gjurmët e grupit dy vite më parë dhe pas hetimeve të thelluara në tri shtete të ndryshme është kryer edhe arrestimi i tetë personave. Aksioni është zhvilluar nga data 26 shtator deri më 1 tetor.

Sipas “Star online”, Zaimaj që mban edhe gradë shkencore, ka ushtruar profesionin e pedagogut në një universitet lokal në Malajzi dhe aty ka krijuar lidhje me persona të dyshimtë.

Nga hetimet e kryera strukturat ligjzbatuese në Malajzi disponojnë të dhëna se grupi është pjesë e organizatës “Abu Sayyaf” (një formacion ushtarak) që dyshohet se ka lidhje të drejtpërdrejta me organizatën terroriste ISIS.

Gjithashtu, policia malajziane dyshon se shqiptari ka njohje me një shtetas turk, i cili merrej me falsifikimin e dokumenteve për persona të ndryshëm të cilët kalonin nga Turqia drejt Sirisë dhe anasjelltas.

Ndonëse ndalimi i tij është kryer paraditen e 1 tetorit, për pesë ditë nuk ka pasur komunikim zyrtar me strukturat e dy vendeve, por dje Policia Shqiptare është vënë në dijeni që i arrestuari është Zaimaj, ku autoritetet malajziane kërkojnë më shumë të dhëna mbi të shkuarën e tij në vendin tonë.

Pas konfirmimit mbi identitetin e të arrestuarit, Policia Shqiptare nisi verifikimet mbi të kaluarën e 35-vjeçarit në vendin tonë. Nga të dhënat e para mësohet se ai është larguar disa vite me parë drejt Malajzisë me studime.

Mënyra e largimit të tij dyshohet se ka ardhur nëpërmjet një organizate humanitare islamike, duke ofruar edhe bursë për kohën e studimeve.

Ndonëse me Malajzinë Komuniteti Mysliman ka marrëveshje shtetërore dhe studentët që ikin në përgjithësi janë të monitoruar, për rastin në fjalë nuk përjashtohet mundësia që Zaimaj të ketë krijuar lidhje me organizata të ndryshme me karakter të dyshimtë për lidhje me ISIS.

Antiterrori në Lëvizje

Agjentët e Antiterrorit në Policinë e shtetit dhe strukturat e Shërbimit Informativ Shtetëror që nga dita e djeshme kanë nisur punën për të grumbulluar më shumë të dhëna rreth aktivitetit të shqiptarit.

Hetimet e para tregojnë se ai udhëtonte shumë jashtë vendit dhe kontaktet e tij në vendin tonë ishin të pakta.

Gjithsesi, po mbahen në vëzhgim edhe të afërm të tij, ndërsa në ditët në vijim pritet që të mbërrijë e plotë dosja hetimore nga Malajzia mbi aktivitetin e tij të dyshimtë./dita.al