09:46 / E Enjte, 01 Mars 2018 / indeksADMonline

Kush fshihet pas 613 kilogramëve kokainë nga Kolumbia në Durrës? (Foto)

Duket e pabesueshme që 25 vjeçarët Donaldo Lushaj, Armando Pezaku dhe Arbër Çekaj të kenë qenë bosët e mëdhenj të trafikut të 613 kilogramëve kokainë nga Kolumbia në Durrës e më tej në Europë.

Pezaku (shofer i kamionit) dhe Lushaj janë të vetmit të arrestuar nga policia për kamionin e ngarkuar me banane dhe kokainë në magazinën në Maminas.

Autoritetet shqiptare e kanë të qartë se janë afër një “peshku të madh”, emri i të cilit lidhet me sasinë më të madhe të kokainës të kapur ndonjëherë në Shqipëri.

Kompania “Arbri Garden” që importoi drogën bashkë me frutat tropikale nga Kolumbia, kishte planifikuar ta mbante kamionin në një magazinë në Maminas. Për disa ditë kokaina qëndroi në port dhe në momentin që u transportua në Maminas, policia ekzekutoi arrestimet dhe sekuestron.

Nga një kërkim i thjeshtë në internet del se kompania Arbri garden ka kryer dhjetëra rrugë të tjera nga Ekuadori dhe Kolumbia drejt Portit të Durrësit. Pra aktiviteti i saj i tregtisë së frutave vazhdonte prej vitesh.

Tregu shqiptar është ende i vogël për të konsumuar 613 kilogram kokainë. Droga ka qenë e destinuar për në tregun europian, por për ta mbajtur atë në Shqipëri, për ta futur atë në portin e Durrësit, për ta magazinuar në Maminas dhe për nxjerrjen jashtë Shqipërisë, trafikantët kanë pasur mbrojtjen e një njeriu me lidhje të fuqishme.

Deri tani policia ka në pranga dy 25 vjeçarë. Të dy i ka lidhur me transportin e 180 milion eurove drogë, një fakt i vështirë për t’u besuar. Sfida është kapja e bosit të vërtetë të drogës, personit që ka marrë përsipër hyrjen, magazinimin dhe daljen e kokainës nga Shqipëria duke shfrytëzuar lidhjet me autoritetet shqiptare. /Lapsi.al