75 Mall Live Search
08:22 / E Mërkurë, 01 Korrik 2026 / H F

“Kush lind në SHBA, është shtetas amerikan”, Gjykata Supreme rrëzon Trump

Kush lind në Shtetet e Bashkuara është shtetas amerikan. Gjykata Supreme konservatore i dha një goditje të madhe agjendës së imigracionit të presidentit Donald Trump të martën, duke vendosur me shumicë votash 6-3 se administrata e tij nuk mund të përdorë një urdhër ekzekutiv për t’i dhënë fund të drejtës së shtetësisë për qindra mijëra foshnje të lindura në tokën amerikane çdo vit.

“Shtetësia, atëherë si tani, ishte e drejta për të pasur të drejta: e drejta për të marrë pjesë lirisht në komunitetin tonë politik. Amendamenti i 14-të ia zgjati këtë premtim çdo personi të lindur i lirë në këtë vend. Ne i qëndrojmë këtij premtimi sot”, tha Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts, duke lexuar vendimin, i cili riafirmon një parim të sanksionuar në Kushtetutë të vitit 1868.

Vendimi nuk përbën një refuzim të plotë të përpjekjeve të presidentit. Disa gjyqtarë konservatorë nuk iu bashkuan shumicës, për sa i përket të drejtës së tokës, duke zbuluar përçarje në anën konservatore.

Kandidatja e Donald Trump, Amy Coney Barrett, votoi me gjyqtarët liberalë. Brett Kavanaugh, megjithatë, nuk ishte dakord me shumicën (5 me 4) duke mbajtur qëndrimin se urdhri ekzekutiv i Trump që shfuqizonte të drejtën e tokës shkelte Amendamentin e 14-të, por u bashkua me shumicën (6 me 3) duke arritur në përfundimin se urdhri i nënshkruar nga presidenti shkelte ligjin federal.

Gjyqtarët Samuel Alito, Clarence Thomas dhe Neil Gorsuch e kundërshtuan vendimin. “Ky është një nga vendimet më të rëndësishme dhe, sipas mendimit tim, Gjykata ka gabuar rëndë”, shkroi Alito. “Sipas interpretimit të sotëm, Amendamenti i Katërmbëdhjetë i jep shtetësi praktikisht kujtdo që ka lindur në këtë vend, përfshirë fëmijët e të ashtuquajturve ‘turistë lindjeje'”, shtoi ai, duke iu referuar teorisë së mbështetur nga Trump.

Presidenti dhe shumë MAGA kanë muaj që e kanë fajësuar turizmin e shtetësisë. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson, një aleat i ngushtë i Trump, e bëri gjithashtu këtë, duke kritikuar Gjykatën Supreme “shumë zhgënjyese” dhe një jus soli “të abuzuar nga turizmi ad hoc”.

Gjatë fushatës për një mandat të dytë, ai kishte premtuar se do t’i jepte fund të ashtuquajturit “turizëm i lindjes” dhe do të ashpërsonte politikat ndaj emigracionit të paligjshëm dhe atij ligjor.

Megjithatë, presidenti merr dritën jeshile nga gjykatat për të ndaluar atletët transgjinorë të marrin pjesë në sportet e grave, duke fituar një betejë që ai e ka zhvilluar prej muajsh.

“’IUS soli’ është një e keqe për vendin”, tha Trump në Truth Social. Duke lavdëruar Kinën e Xi Jinping për mospasjen e shtetësisë me të drejtë lindjeje, presidenti i kërkoi Kongresit me shumicë republikane të vepronte dhe të miratonte një ligj që ndalonte ius soli-n.

“Nuk është i nevojshëm asnjë ndryshim kushtetues. Kongresi duhet të fillojë të punojë sot për të ‘shfuqizuar një praktikë të kushtueshme dhe të padrejtë për vendin tonë. Ata do të kenë mbështetjen time të plotë”, shtoi ai.

Nuk ka gjasa që republikanët në Capitol Hill të nisin një betejë kaq të madhe vetëm disa muaj para zgjedhjeve, duke pasur parasysh se shumë konservatorë favorizojnë njohjen e shtetësisë me të drejtë lindjeje. Nëse do të pranonin dëshirën e presidentit, republikanët do të duhej të prisnin për zgjedhjet e mesit të mandatit dhe të shpresonin të ruanin shumicën e tyre para se të merrnin në konsideratë ndonjë veprim. Por edhe atëherë, çështja rrezikon të jetë aq e pasigurt sa mund ta ndërlikojë garën për Shtëpinë e Bardhë të vitit 2028. Shumica e amerikanëve, favorizojnë ius soli-n, dhe kandidatët presidencialë nuk ka gjasa të anojnë nga një iniciativë veçanërisht e diskutueshme.