12:23 / E Martë, 19 Shkurt 2019

Kushtetuesja e ‘Speciales’, refuzon urdhrin e kryeprokurorit Smith drejtuar themeluesit të UÇK-së

Kërkesa e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Specializuar, Jack Smith karshi njërit prej themeluesit të parë të UÇK-së, Mahir Hasani, që të sjell me vete gjatë intervistimit, prova dhe dëshmi për aktivitetin e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë, është refuzuar nga Gjykata Kushtetuese e Prokurorisë Speciale.

Të paktën kështu thotë, avokati i Hasanit, Artan Qerkini. Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se me të marr ftesën për intervistim, Hasani ka marr dhe një urdhër ku i kërkohet atij që të sjell dëshmi, përfshi harta, skica fotografi që lidhet me veprimtarinë e UÇK-së.

Sipas tij, pas ankesave të vazhdueshme fillimisht është pezulluar kërkesa, pastaj ka marr njoftimin se prokurori i rastit e ka tërhequr atë.

“Me të parë këtë urdhër kam menduar që i njëjti i cenon disa të drejta kushtetuese të klientit tim. Prandaj, kam vendosur që t’i drejtohem Gjykatës Kushtuese të Gjykatës Speciale që fillimisht ata të pezullojnë këtë urdhër, e pastaj dhe në mënyrë definitive të konstatojnë që urdhri i shkel një sër të drejtash kushtetuese të klientit tim. Gjykata Kushtetuese e Gjykatës Speciale duke vepruar sipas kërkesës time, ka vendosur që të pezulloj përkohësisht urdhrin me anë të së cilit klienti im ishte detyruar që sillte prova materiale me rastin e intervistimit të tij. Dje (të premten) nga zyra e prokurorit të specializuar kam pranuar në emailin tim, një vendim të tij, se ai e tërheq urdhrin e lëshuar më herët dhe njëherit kërkon nga Gjykata Kushtetuese që këtë çështje më mos ta trajtojë sepse tashmë urdhri veç është tërhequr”, thotë Qerkini për KosovaPress.

Qerkini, po ashtu njofton se në fillimin e javës që shkoi, Hasani është intervistuar nga Gjykata Speciale dhe se ai është mbrojtur në heshtje.

Krejt kjo, siç thotë ai, pasi prokuroria nuk ka pasur pretendime të qarta mbi akuzat që i ka parashtruar.

“Klienti dhe unë kemi qëndruar në Hagë me datën 11 shkurt, mirëpo unë e kam sygjeruar që të mbrohet në heshtje sepse prokuroria nuk ishte në gjendje që në mënyrë egzakte t’i shprehte ekzistimin e dyshimit të bazuar që se klienti im ka kryer ndonjë vepër…ai ka qenë në cilësinë e të dyshuarit, dhe njëra prej arsyeve që une e kam këshilluar që të mbrohet në heshtje, thjesht se pretendimet e prokurorisë ndaj klientit tim nuk ishin të qarta. Thjesht unë nuk mundem të flas asgjë për çka po dyshohet sepse prokuroria nuk e ka dhënë ndonjë informatë se për çka ai po dyshohet”, shton ai.

Mahir Hasani ka qenë njëri ndër themeluesit e parë të UÇK-së dhe muaj më parë është dekoruar me Medalje Presidenciale nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.